Foto: MPJD

Gërvalla takon ministrin e Jashtëm të Turqisë, në fokus të takimit - thellimi i marrëdhënieve ndërshtetërore

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim me homologun e saj turk, Hakan Fidan, në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalia 2024.

Sipas një komunikate për media, mbështetja e Turqisë për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Europës, në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare, fuqizimi i bashkëpunimit në shkëmbime tregtare dhe investime strategjike ishin temat kryesore të diskutimit.

Ministrja Gërvalla e njoftoi ministrin Fidan rreth prioriteteve të Kosovës në proceset integruese dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Në komunikatë bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u diskutua edhe rreth sigurisë në rajon dhe rreth nevojës së rritjes së bashkëpunimit multilateral në tejkalimin e sfidave të përbashkëta me të cilat po përballen shtetet demokratike.