Gërvalla: Presim që BE të ketë qëndrim të qartë për të adresuar sulmin e Banjskës

Në prag të fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me 27 vendet e Bashkimit Evropian, kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla ka thënë se pret që vendet të kenë një qëndrim për sulmin në Banjskë më 24 shtator.

Sipas Gërvallës në këtë takim në të cilin pritet të diskutohet siguria, është e pashmangshme që të mos ketë pasoja për agresorin.

“Ju e dini që Kosova para dy muajve është përballur me një akt të agresionit të hapur nga fqinji Serbia dhe presim që BE, ministrat sot, të kenë një qëndrim të qartë për të adresuar atë sulm dhe për të adresuar gjithçka që duhet bërë dhe pasojat që një agresor duhet t’i bartë”- tha Gwrvalla para nisjes sw takimit.

Sipas saj, siguria në vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdon ende të ketë sfida dhe përmes diskutimit të sotëm do të bëhen të qartë edhe hapat e duhur në këtë drejtim.

“Në Ballkanin Perëndimor e kemi situatën drejtë paqes dhe sigurisë, ne kemi shumë sfida, së bashku me ministrat e jashtëm shpresoj shumë që do ta shfrytëzojmë sot diskutimin për paqen dhe sigurinë jo vetëm për Ballkanin Perëndimor por edhe në kontinentin tonë, dhe përmes këtyre diskutimeve t’i kemi hapat e duhur”- tha tutje ajo.

Shefat e politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe të 27 vendeve të Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë sonte në Bruksel mbi situatën e sigurisë në rajon dhe harmonizimin e politikave të jashtme.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josef Borrell që tradicionalisht drejtoj takimet e tilla me të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, tha se ato theksojnë rëndësinë e rajonit për Bashkimin Evropian.

“Do të këmbëngulet për afrimin më të madh në fushën e politikës së jashtme, pasi disa vende nuk kanë një histori të mirë në lidhje me harmonizimin e politikës së jashtme dhe me sanksionet”- ka thënë Borrell.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm terrorist.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mirëpo autoritetet në Kosovë kanë theksuar se prapa këtij sulmi janë institucionet e Serbisë.

BE-ja dhe Ballkani Perëndimor diskutojnë për sigurinë dhe harmonizimin e politikës së jashtme