Foto: Screenshot, RTK

Gërvalla në OKB: Serbia është bërë kërcënimi i dytë më i rrezikshëm i sigurisë për Evropën

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka prezantuar qëndrimet e Kosovës sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Gërvalla ka thënë se Serbia me mbështetjen dhe në orientimin rus është bërë kërcënimi dytë më i rrezikshëm i sigurisë për Evropën.

Ajo ka thënë se për kërcenim ndaj stabilitetit dhe paqes nuk mund të fajësohet Kosova.

Teksa ka folur për reciprocitetin më letërnjoftime me Serbinë, Gërvalla ka thënë se Kosova ka insistuar që Serbia t’i përmbahet marrëveshjes që e ka nënshkruar vetë.

“Në vitin 2011 Serbia është pajtuar në Bruksel për lirinë e lëvizjes. Kur ne i kërkuam Serbisë që ta ndalë këtë diskriminim ajo nuk pranoi kështu që na detyroi të lëviznim me reciprocitet. Serbia si gjithmonë i ka shkelur zotimet e veta për më shumë se 10 vjet. Kërcënimi ndaj stabilitetit dhe paqes ka ardhë nga një palë, nuk mund të fajësohen të dyja palët, Kosova nuk ka provokuar, as kërcënuar askënd, Kosova ka insistuar që Serbia më shumë se 10 vjet më vonë ti përmbahet marrëveshjes që e ka nënshkruar vetë”-ka thënë ajo.

Gërvalla ka folur edhe për luftën e fundit në Kosovë.

Ajo ka thënë se Kosova është vend që ka lindur nga gjenocidi.

Zëvendëskryeministrja Gërvalla ka thënë tutje se Serbia e Millosheviqi, bashkë me Vuçiqin e të tjerë, kanë dashur ta zhdukin Kosovën nga harta.

“Jemi vend vërtet evropian, me tolerancë të pathyeshme, por edhe me krenari. Kosova është vend që ka lindur nga gjenocidi. Serbia dhe Millosheviqi, bashkë me Vuçiqin e të tjerë, kanë dashur të na zhduknin nga harta. Me mbrojtësit tanë trima, luftëtarët tanë të UÇK-së, me ndihmën e NATO-s, me heroizmin e grave, si i kemi mbrojtur fëmijët tanë kur na kanë djegur fshatrat, dhe kemi arritur të mbijetojmë. Si është ruajtur dinjiteti kur jemi detyruar të ikim drejt maleve. Nuk jemi dorëzuar asnjëherë. Forcat serbe na kanë vrarë, na kanë përdhunuar” – ka thënë ajo.

Gërvalla ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i njohur për gjenocidin serb në Bosnjë.

“Pse Vuçiqi flet për luftën, nga vjen kjo? Një koleg i imi ishte i befasuar kur mori vesh se Vuçiqi kishte qenë ministër i propagandës i kriminelit të luftës gjatë gjenocidit në Kosovë. Vuçiq është i njohur për gjenocidin serb në Bosnjë, ku mijëra civilë ishin vrarë atje nga ushtria serbe” – ka shtuar tutje Gërvalla.

Ajo ka thënë se Kosova është në rrugën e duhur përkundër të gjitha vështirësive dhe ka thënë se vitin e kaluar Kosova regjistroi më shumë se 10 për qind rritje ekonomike dhe rritje rekorde të investimeve të huaja.