Gazetarja e "New York Times" jep dorëheqjen pas nënshkrimit të peticionit

Gazetarja e të përditshmes “New York Times”, Jazmine Hughes dha dorëheqjen nga gazeta javën e kaluar pasi kishte shkelur rregullat e medias duke nënshkruar një peticion, që përkrahte palestinezët dhe protestonte ndaj sulmit të Izraelit ndaj Gazës.

Dorëheqja e saj u bë e ditur nga redaktori i New York Times-it, Jake Silverstein përmes një letre drejtuar punonjësve të gazetës të premten, duke i njoftuar ata se ai dhe gazetarja Hughes, kishin ardhur në një përfundim të përbashkët, që ajo duhej të dorëhiqej.

“Ndërkohë që e kuptoj që ka qëndrime të forta, (veprimi i saj) përbënte shkelje të qartë të politikës së New York Times-it rreth protestave publike,” shkroi zoti Silverstein. “Kjo politikë, të cilën e përkrah plotësisht, është pjesë e rëndësishme e përkushtimit tonë ndaj pavarësisë.”

Sipas gazetës New York Times, peticioni i nënshkruar nga gazetarja Hughes u botua javën e kaluar në internet nga një grup i quajtur “Shkrimtarët kundër luftës në Gazë.” Grupi, sipas njoftimit të New York Times-it, është një koalicion I momentit i sapoformuar dhe i përkushtuar “ndaj solidaritetit dhe çlirimit të palestinezëve” që dënoin”sulmin e Izraelit” ndaj palestinezëve si dhe gazetarëve të vrarë që po raportonin luftën. Peticioni ishte nënshkruar nga qindra njerëz, përfshirë gazetarë të mirënjohur dhe shkrimtarë, sipas gazetës New York Times.

Sipas raportimit të New York Times, kjo është hera e dytë brenda vitit që zonja Hughes shkel politikën e gazetës prestigjioze amerikane. Gjatë këtij viti zonja Hughes, e cila është gazetare e që ka fituar çmime për shkrimet e saj, nënshkroi edhe një letër publike për të protestuar kundër raportimit të gazetës për çështjet transgjinore.

“Ajo dhe unë biseduam se dëshira e saj për të pasur një qëndrim të tillë publik dhe për të marrë pjesë në protesta publike nuk përputhet me të qenurit gazetare e New York Times,” tha zoti Silverstein.

Gazetarja Hughes iu bashkua gazetës New York Times më 2015 dhe ka punuar si redaktore dhe gazetare në revistën e kësaj të përditshme. Ajo është nderuar me dy çmime kombëtare gjatë viteve të fundit./VOA.