Gazetarët e KALLXO.com fitojnë çmimin e parë të BE-së për gazetari hulumtuese
Gazetarët e KALLXO.com kanë fituar çmimin e parë të Bashkimit Evropian (BE) për gazetari hulumtuese për vitin 2021 për Kosovë.
Ky çmim u nda sot në Tiranë në një ceremoni të organizuar nga Komisioni Evropian në kuadër të organizimit për ditët e medias.
Çmimi iu nda gazetarëve Kreshnik Gashi, Visar Prebreza e Behar Mustafa për një seri hulumtimesh të publikuara në emisionin “Kallxo Përnime”.
Besnik Krasniqi nga “Koha Ditore” ka fituar çmimin e dytë, kurse Besnik Boletini dhe Xhavit Drenori nga Preportr – Çohu kanë fituar çmimin e tretë.
Gazetarët e KALLXO.com kanë fituar çmimin e parë për hulumtimet e titulluara: “Pazaret me Drejtësinë”, “Dosja e Veriut – Lidhjet e kompanisë së futur në listën e zezë dhe ndërtimeve në Ulqin”, “Dosja e Fajdeve” dhe “Gjykatësi negocion lëndën”.
Seria e hulumtimeve mbi rrjedhën e parave dhe pasojat e korrupsionit, e publikuar në kuadër të emisionit “Kallxo Përnime” ka treguar pasojat e gjata të korrupsionit dhe shpëlarjes së parave në Kosovë.
Hulumtimet kanë zbardhur mungesën e kapaciteteve institucionale për të trajtuar korrupsionin e po ashtu përfshirjen e njerëzve të sistemit të drejtësisë në afera korruptive.
Hulumtimi “Pazaret me Drejtësinë” është transmetuar në muajin prill 2021. Ai dokumenton përfshirjen në korrupsion të familjarëve të prokurores së Krimeve të Rënda në Prizren, Ervehe Gashi. Hulumtimi ka argumentuar me pamje filmike se si burri i prokurores kërkonte 5 mijë euro mitë për të përfunduar një lëndë e cila po hetohej nga gruaja e tij. Teknikat e hulumtimit të përdorura në këtë rast kanë zbardhur aferën, e cila ka rezultuar me një hetim të madh të Prokurorisë Speciale që është finalizuar me ngritjen e aktakuzës ndaj tre personave, përfshirë burrin e prokurores. Njëri nga ta tashmë ka pranuar fajësinë dhe është dënuar.
Hulumtimi “Dosja e Veriut”, që tregon lidhjet e kompanisë së futur në listën e zezë, tenderëve të fituar në Kosovë dhe ndërtimeve të larta në Ulqin, është njëri nga hulumtimet model të “ndjekjes së parave”, pra nga fitimi i dyshimtë i tyre e deri tek investimi në një shtet tjetër: pastrimi i tyre.
Hulumtimi, i cili nis nga një sinjalizues i thjeshtë, zbardh rrjedhën e parave të fituara nga tenderët e fituar në mënyrë të dyshimtë nga komunat dhe Qeveria e Serbisë dhe biznesi i kontrabandës në veriun e Kosovës e deri tek investime të pastra në Ulqin. Hulumtimi televiziv zbardh skemën e bashkëpunimit të bizneseve, se si bizneset në pronësi të personave që janë futur në listën e zezë të SHBA-së fitojnë tender, por edhe lidhjet e tyre me bizneset me pronarë shqiptarë që kryesisht merren me realizimin e punëve në tender. Hulumtimi nuk ndalet aty por gjurmon më thellë dhe zbulon se pronarët e biznesit që kryen pjesën më të madhe të punëve në kontratat publikë në veriun e Kosovës ka lidhje me njerëzit e politikës, dhe ndër akterët kryesor del Idriz Thaçi, vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi.
Dosja e Veriut: Lidhja mes kompanisë së futur në listën e zezë të Amerikës dhe investimeve në Ulqin
Hulumtimi “Dosjet e fajdeve në Pejë” është një hulumtim model, i cili zbardh njërën nga veprimtaritë më problematike në Kosovë dhe shpërfaq organizimin e njërit prej grupeve më të mëdha kriminale në zonën e Dukagjinit. Investigimi i bazuar në denoncimin e një qytetari ka rezultuar me impakte të mëdha, përfshirë arrestimin e një grupi të madh të fajdexhinjve dhe konfiskimin e aseteve të grupit kriminal në vlerë mbi 1 milion.
Hulumtimi tjetër tregon korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe shpërfaq parregullsitë dhe keqpërdorimin e profesionit nga gjykatësit nga Kaçaniku, Riza Livoreka.
Gazetarët kanë arritur të argumentojnë përfshirjen e gjyqtarit në këtë rast format që ai i shantazhonte palët dhe zgjidhte në mënyrë kundërligjore çështjet për të cilat ishte i thirrur.
Impakti i stories në publik ishte i madh, pasi gjyqtari u suspendua nga puna vetëm disa orë pasi hulumtimi u publikua.
www.kallxo.com