Gaza, Izrael: Ushtria izraelite nis operacionin rreth spitalit më të madh të Gazës

Ushtria izraelite i ka nisur operacionet në afërsi të spitalit më të madh të Gazës, al-Shifa, me raporte që tregojnë sulme ajrore në lagjen e prekur rëndë që e rrethon atë. Ky veprim pason një operacion të mëparshëm në nëntor (2023) në al-Shifa, i cili u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, konfirmoi planet për ta nisur një ofensivë në qytetin jugor të Rafahut, pavarësisht shqetësimit global në rritje për sigurinë e civilëve palestinezë që kërkojnë strehim atje. Netanyahu theksoi se presioni ndërkombëtar nuk do ta pengojë Izraelin t’i arrijë objektivat e tij në konflikt. Ai gjithashtu deklaroi se civilët do të lejohen të evakuohen përpara se trupat izraelite të hyjnë në Rafah, duke shtuar se mundësimi i largimit të civilëve ishte një prioritet krahas eliminimit të kërcënimeve terroriste. 

Megjithatë, shqetësimet u ngritën, përfshirë edhe shqetësimet nga kancelari gjerman Olaf Scholz, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e evakuimit të civilëve duke pasur parasysh rrethanat.

Gjatë diskutimeve me mbretin jordanez Abdullah, kancelari Scholz paralajmëroi se një sulm izraelit në Rafah mund t’i pengojë rëndë përpjekjet rajonale për paqe. 

Ndërkohë, Netanyahu i hodhi poshtë thirrjet e kreut të Senatit të SHBA, Chuck Schumer për zgjedhje të reja, duke pohuar se një veprim i tillë do të prishte stabilitetin e vendit për muaj të tërë. Ai e cilësoi ndërhyrjen e Schumer-it si të papërshtatshme.

Shtëpia e Bardhë shprehu qëndrimin e Presidentit Biden, duke theksuar sovranitetin e Izraelit në marrjen e vendimeve të veta politike, përfshirë zgjedhjet. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby nënvizoi respektin e administratës për autonominë izraelite në përcaktimin e lidershipit të saj të ardhshëm.

Oxfam, organizata bamirëse kundër varfërisë, e ka akuzuar Izraelin për pengim të qëllimshëm të shpërndarjes së ndihmave në Gaza gjatë konfliktit të saj me Hamasin, duke shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar. Raporti i organizatës në fjalë i nënvizon  përpjekjet e supozuara sistematike të Izraelit për të penguar ndihmën e rëndësishme humanitare në territorin palestinez./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala