Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Të ndërpritet urgjentisht trajtimi i ligjit për pagën minimale

Kryetari i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka propozuar që të ndërpritet trajtimi i ligjit për pagën minimale.

“Propozoj që në emër të grupit paprlamentar të LDK-së që të ndërpritet trajtimi i ligjit për pagën minimale, të fillojë urgjentisht diskutimi me grupet e interersit dhe të mbërrihet një kompromis për këtë çështje”, ka deklaruar Gashi.

Tutje, ai ka thënë se i sugjeron Qeverisë që të fillojë koordinimin me shoqatat e veteranëve të luftës për pastrimin e listave deh kategorizimin e veteranëve.

Gashi gjithashtu ka kërkuar një pagë të dinjitetshme për veteranët duke shtuar se ata duhet të aktivizohen edhe në tregun e punës.

“Po ashtu në të njëjtën kohë sugjeroj Qeverisë që të fillojë koordinimin me grupet e interesit në këtë rast me shoqatat e veteranëve të luftës për pastrimin e listave, për kategorizimin e veteranëve dhe për marrjen e pagës minimale dhe pagë të dinjitetshme. Të krijohet mundësia që kjo pjesë vitale e shoqërisë të aktivizohet në tregun e punës në të njëjtën kohë të përfitojnë edhe beneficionet e luftës”, ka deklaruar Gashi.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë thyer kordonin e Policisë së Kosovës dhe kanë depërtuar brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës.

Faton Klinaku ju ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të mos lëndojnë Policinë.

Në oborrin e Kuvendit janë duke qëndruar pjesëtarë të Policisë dhe Njësisë Speciale.

Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.