Foto: KALLXO.com

Fushtica: Bashkësitë fetare në Kosovë janë në vakum ligjor, veprojnë si OJQ

Njohësi sigurisë në vend, Lulzim Fushtica, ka thënë se në kohën që ekstremizmi në Kosovë ka qenë në kulmin e tij, Qeveria ka pasur bashkëpunim të madh me Bashkësinë Islame të Kosovës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u trajtua tema e sfidave të ekstremizmit, shtoi se në kohën sa ai ishte koordinator nacional për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit dhe terrorizmit në Qeverinë e Kosovës, ka pasur takime të rregullta me kryetarin e BIK-ut, Naim Tërnava dhe kryesinë e BIK-ut.

“Ndihma kryesore ka qenë nga BIK-u dhe ajo në atë kohë e ka dhënë provimin në ndihmën që i ka dhënë institucioneve shtetërore, si koordinatore mes Policisë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Bashkëpunimi ka qenë i jashtëzakonshëm por duhet të kthehemi tek një çështje e cila është shumë e rëndësishme dhe që është mundu me vite të tëra të zgjidhet dhe kjo ka të bëj me kornizën ligjore. Duhet të kemi shumë kujdes në trajtimin e bashkësive fetare” – deklaroi Fushtica më 07.06.2024.

Në emisionin “KallxoPërnime” shtoi gjithashtu se për momentin bashkësitë fetare në Kosovë janë në një vakum ligjor dhe nuk kanë kontrollë pasi të njëjtat funksionojnë si organizata joqeveritare.

“Jo vetëm Bashkësisë Islame në Kosovë që është më e madhja por edhe të bashkësive të tjera por edhe të atyre që pretendohet se janë të regjistruara. Për momentin ato veprojnë në një vakum ligjor. Duhet të kemi kujdes kur i trajtojmë pasi që nuk mund të themi që shteti duhet t’i kontrollojë bashkësitë fetare, por duhet të jap hapësirën e përkrahjen. Për momentin ato funksionojnë si OJQ dhe nuk e kanë kontrollin as të të hyrave financiare e as të aspekteve të tjera të punës. Pra punojnë në kuadër të kornizave të tyre ligjore, pra kushtetutës që e kanë bashkësitë në Kosovë. Aspekti ligjor duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, të regjistrohen, ta kenë statutin e tyre, të kenë anëtarësinë dhe t’i kenë të definuara të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë” – potencoi Fushtica.

Ai foli edhe për konfliktin në mes të komunitetit ortodoks, duke thënë se kjo është një dukuri e re.

“Është hera e parë që po ndodh një gjë e tillë, nuk kemi pas një gjë të tillë, ne kemi vërejtur edhe në vitet e kaluara dhe posaçërisht dy vitet e fundit ka një ngritje të ekstremit të djathtë që për bazë ka pasur nacionalizmin dhe e cila ka ardhur si pasojë e ngritjes së ekstremit të djathtë në Europën Perendimore dhe kjo që ka ndodhur në fshatin Rakinicë të Podujevës është diçka e re edhe për ne si njohës të sigurisë dhe është një fenomen i ri që duhet të përcillet dhe të shikohet se cili është qëllimi dhe kush qëndron mrapa” – tha tutje Fushtica.

Për konfliktin mes komunitetit ortodoks teologu Flugaj tha se qëndron edhe në Shqipëri.