Zëdhënësi i Komunës së Pejës: Këtë verë do të vendoset 'polici i shtrirë' në Gorazhdec

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj ka dhënë sqarime rreth problemeve me të cilat ballafaqohen banorët e fshatit Gorazhdec. Ai premtoi se verën e vitit 2024 do të vendoset polici i shtrirë në fshat, për të parandaluar shpejtësinë e automjeteve që përshkojnë rrugën e fshatit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, në të cilin ballafaqua me banorët e këtij fshati, tha se është problem që të realizohet secila kërkesë e secilit banor.

“Për policë të shtrirë kemi pasur kërkesa të hatashme, por jemi në koordinim me një inxhinier të komunikacionit që nuk po na japin shumë hapësirë me vepru sipas dëshirës. Problemi tjetër është që kur po vendosen këta policë, kur ka pas borë aty janë largu. Po ka procedura të kontraktimit që po duhet me hapë kontratë, por ne çdo herë i kemi vendosur me direktiva ose sugjerime të inxhinierit” – Zekaj.

“Këta banorë e kanë kërkuar vendosjen e policit të shtrirë te shkolla nëse s’gaboj, por aty është rrugë dytësore, pra rrugë e mahallës dhe ne aty e kemi problem me vendos, sepse është rrugë e shkurtë dhe për këtë arsye se kemi vendos herën e dytë. Ne e kemi pasur prioritet këtë rrugën kryesore dhe unë besoj që aty është problemi më i madh jo te shkolla” – tha Zekaj tutje.

Ai ka shtuar se sa i përket trotuareve, disa janë të përfunduar por që edhe për këtë gjë duhen procedura.

“Këto shkojnë edhe me rend se kemi kërkesa të shumta edhe nga fshatrat e tjera. Tash e kemi projektin me Demosin edhe me grantin e perferomancës, që ka me vendos trotuarin një pjesë, por s’mund t’i përfundojmë të gjithë fshatrat dhe këtë e bëjmë pjesë-pjesë dhe nëse s’gaboj në Gorazhdec janë 300 metra që ka mu ndërtu” – ka thënë Zekaj.

Zekaj tutje tha se borë pastruesi duke e hequr borën e ka hequr edhe ‘policin e shtrirë’ nga rruga.

“Nuk mundet ai me ditë që është një polic i shtrirë edhe me ngrit bagerin. Nuk e sheh në borë sepse ka qenë rreth gjysmë metre bora, ka shku ai me lugë të bagerit me hek borën dhe se ka pa. Këtë verë do të vendoset polici i shtrirë ku po kërkojnë këta banorë” – tha ai.