Banorët e Gorazhdecit të Pejës ankohen për infrastrukturën rrugore në fshatin e tyre - VIDEO

Banorët e Gorazhdecit të komunës së Pejës po ankohen për infrastrukturën dhe kushtet në fshatin e tyre.

Ata në emisionin “Kallxo Përnime”, në të cilin po flitet rreth problemeve që ballafaqohen këta banorë, u theksua mes tjerash edhe mungesa e “policëve të shtrirë” në rrugën kryesore të fshatit, që po i rrezikon nga shpejtësia e automjeteve që kalojnë rrugën.

Gazetari Damjan Portiq, që banon në këtë fshat ka thënë se ka 10 muaj që është mbajtur dëgjim publik nga komuna në të cilin janë shprehur shqetësimet e tyre.

“Është mbajtur para dhjetë muajsh. Nuk jam shumë i sigurt se kur është mbajtur, por e di që ka kaluar mjaft kohë dhe atëherë kanë premtuar që sa më shpejt do të vendosen policë të shtrirë në Gorazhdec. Ndoshta nuk e kanë kuptuar mirë kërkesën për vendosjen e policëve të shtrirë pasi nuk kërkohet vendosja e tyre në pjesën e rrugës së shkurtër, por pikërisht në rrugën kryesore e cila lidh Gorazhdecin me fshatra të tjerë” – tha Portiq.

Ai shtoi se “polici i shtrirë” ka ekzistuar më herët në rrugën e tyre.

“Po, në rrugën kryesore. Aty ka ekzistuar polici i shtrirë i cili është larguar gjatë pastrimit të borës para disa vitesh dhe nga ajo kohë në atë rrugë automjetet vozisin me shpejtësi marramendëse nëpër Gorazhdec. Borëpastruesi rastësisht e ka larguar policin e shtrirë” – tha Portiç.

Sasha Petroviq që është banor i këtij fshati dhe aktivist i shoqërisë civile, ka thënë se këtë po e kërkojnë nga komuna sepse sipas tij aty është shkolla.

“Unë punoj në atë shkollë, pra në shkollën fillore si dhe në atë të mesme. Jemi duke folur për fëmijë të vegjël. Në këtë shkollë kemi fëmijë që janë në parashkollor, në shkollë fillore si dhe në shkollë të mesme. Disa vite më parë është vendosur një polic i shtrirë, por ai ka qenë i montuar, pra bëhet fjalë për ata policë të shtrirë cilët montohen mbi beton me anë të vidave dhe në dimër kur bie borë e madhe borëpastruesit që kalojnë nëpër fshat i dëmtojnë këta policë të shtrirë, dhe ata më nuk kryejnë funksionin e vet. Zgjidhja do të ishte nëse do vendoseshin policë të shtrirë të bërë nga betoni” – tha Sasha Petroviq.