Njoftimet e përkthyera në serbisht, sfidë për komunitetin serb në Pejë

Aktivisti i shoqërisë civile si dhe banor i fshatit Gorazhdec të Pejës, Sasha Petroviq, ka thënë se disa gjëra janë rregullar që nga paslufta, por ka edhe gjëra të tjera që ende nuk janë rregulluar për komunitetin e tij në këtë komunë.

Ai shembull për këtë në emisionin “Kallxo Përnime”, ka përmendur edhe përdorimin e gjuhës serbe në komunën e Pejës.

Sipas tij, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk po respektohet dhe për këtë thekson ai që problemi qëndron që Komuna e Pejës nuk ka përkthyes të gjuhës serbe.

“Në disa raste i marrim në gjuhën serbe, ndërsa në disa jo. Këtu ekziston një problem i madh sepse ne nuk e kemi një përkthyes zyrtar të gjuhës serbe në administratën e komunës, nuk e kemi dikë në kadastër që do të ishte përparësi shumë e madhe, as në departamentin e kulturës si dhe në struktura tjera. Në fakt, nuk ka serbë të përfaqësuar. Para se të fillojë emisioni unë kam biseduar pak me përkthyesin tuaj, i cili për momentin është duke përkthyer dhe do të ishim me fat po të kishim përkthyes profesional të tillë sepse kemi mungesë edhe të përkthimit profesional të teksteve. Nuk bëhet fjalë vetëm për përkthim të thjeshtë, sepse nuk është fjala vetëm për përkthimin simultan” – tha Petroviq.

Ai ka shtuar se një numër i madh i njoftimeve është i publikuar vetëm në gjuhën shqipe.

“Për shembull, në Qendrën për Regjistrim të Biznesit zyrtari ju drejtohet ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Disa informata që kanë rendësi për publikun nuk vendosen në buletinët në Gorazhdec, sepse kemi njerëz të moshuar të cilët nuk përdorin Facebook-un ose që nuk mund të shkojnë deri në Pejë, deri në komunë. Në Gorazhdec, pra në qendër, ka shumë vende të dukshme ku janë të vendosur buletinët ku mund të publikohen informatat e rëndësishme nga ana e komunës, siç janë konkurset, tenderët etj” – tha tutje ai.

Ndërsa zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj ka thënë se ky insistucion e ka përkthyesin e vet.

“Komuna e Pejës ka përkthyes të gjuhës serbe. Ndërsa për sa i përket shkresave zyrtare, komuniteti serb nëse e bën kërkesën në gjuhen serbe ajo kthehet në po të njejtën gjuhë. Edhe dëgjimet publike bëhen edhe në gjuhen serbe” – tha Zekaj.