Foto: Forca e Sigurisë së Kosovës, Facebook

FSK përmbyll me sukses stërvitjen “Dynamic Front 24” në Turqi

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar më sukses stërvitjen “Dynamic Front 24” në Turqi.

Sipas njoftimit të FSK-së, kjo stërvitje synon rritjen e ndërveprueshmërisë në fushën e artilerisë dhe mbështetjes me zjarr.

Ushtarakët e FSK-së patën mundësinë që gjatë ushtrimit të demonstrojnë shkathtësitë e gjuajtjes me artileri me zjarr të vërtetë përkrah aleatëve SHBA dhe Turqi.

“Me rastin e ditës së vizitorëve të shquar, FSK-në, e ka përfaqësuar  Komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Hysen Dreshaj, Kolonel Astrit Haliti dhe atasheu i Kosovës në Turqi Kolonel Bekim Zejnullahu, që u pritën nga Komandanti i Doktrinës gjenerallejtënant Zorlu Topaloglu dhe Komandanti i Artilerisë së 56-të, gjeneral majori Andrew C. Gainey” – njofton FSK.

Gjenerali Dreshaj ka falënderuar gjeneralin Topaloglu për mbështetjen e treguar në vazhdimësi për Kosovën e në veçanti për FSK-në.

Kontingjenti i FSK-së ka organizuar një pritje për shtetet pjesëmarrëse në këtë ushtrim, SHBA, Turqi, Sllovaki dhe Çeki, edhe me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“I pranishëm në këtë mbrëmje ishte komandanti i shkollës së Artilerisë Turke, gjeneral majori Ahmet Ibis, oficerë e nënoficerë të ushtrive pjesëmarrëse në ushtrim që u pritën nga komandanti i kontingjentit të FSK-së, Kapiten Bardhyl Dugolli” – thuhet në njoftim.