Florim Isufi. Foto: Facebook

Florim Isufi emërohet këshilltar i kryeministrit për çështje të kufirit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka emëruar sot profesorin universitar Florim Isufi, këshilltar politik të jashtëm (pro-bono) për gjeoinformacion dhe çështje të kufirit.

“Bashkëpunimi i mëhershëm i kryeministrit Kurti me profesorin Isufi për çështje të kufirit, tani do të vazhdojë në kuadër të kabinetit të tij. Ai i uroi punë të mbarë në detyrën dhe përgjegjësinë e re”, thuhet në komunikatë.

Florim Isufi, gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj, më 22 shtator 2017, ishte emëruar anëtar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Ai kishte qenë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi të nënshkruar në gusht të 2015 gjatë qeverisjes së Isa Mustafës.