AGK reagon ndaj këshilltarit të kryeministrit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka parë shqetësuese gjuhën që ka përdorur këshilltari i kryeministrit, Halil Matoshi, ndaj gazetarit të ‘Kohës Ditore’, Besnik Krasniqi, duke i vënë atij epitetin “fabrikues të lajmeve” e duke e krahasuar me gazetarët e “Sputnikut rus”.

“Besnik Krasniqi po shkëlqen në luftën speciale të Sputnik-ut kundër Republikës sonë!?“, kishte shkruar Matoshi në rrjetin social Facebook, duke i bashkëngjitur shkrimit fotografitë e Kohës Ditore dhe të Sputnik-ut.

“Andaj, për AGK-në, është e papranueshme kjo gjuhë linçuese e zyrtarëve shtetërorë kundrejt gazetarëve, aq më pak, kur një gjuhë e tillë vjen nga njerëzit që dikur kanë kryer vetë detyrën e gazetarit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK konsideron se gjuha e përdorur nga këshilltari i kryeministrit, i kontribuon gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes dhe, si e tillë, është e dënueshme, meqë e cenon ashpër lirinë e shprehjes dhe të bërit gazetari.

Komenti i Halil Matoshit

“Në anën tjetër, AGK kërkon nga gazetarët që të përmbahen nga komentet linçuese dhe të mos bien nën ndikimin e komenteve të tilla. AGK mbështet vetëm punën profesionale të gazetarëve, bazuar në respektimin e standardeve bazë të profesionit dhe inkurajon informimin korrekt dhe të drejtë të publikut, përmes shkrimeve dhe storieve të bazuara në fakte”, vazhdon ky reagim i AGK-së.

Gjatë ditës së sotme ndaj postimit të këshilltarit Matoshi kishte reaguar edhe gazetari Besnik Krasniqi.

Krasniqi e kishte quajtur kërcënim të hapur postimin e Matoshit.

“Halil Matoshi na është korruptu keq në kokë! Është verbu e korruptu me ata pak eshna që po i shijon në pushtet! Etiketa publike që ma bëri sot, përbën kërcënim të hapur: Ky është rus! Çkyjeni! Pra, të pandeh për misionar rus, dikush që i përket asaj kaste pushtetarësh që ia kanë lëkundë themelet raporteve Kosovë-SHBA. Për herë të parë në historinë tonë, SHBA-ja po i vë sanksione Kosovës, shkaku i Kryeministrit. Jo shkaku i këtij emisarit rus, por shkaku i Kryeministrit”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook.