Ish-anëtari i Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi: Xhandarmëria serbe ka hyrë rreth 300 metra në Kosovë

Ish-anëtari i Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi, Florim Isufi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se hyrja e pjesëtarëve të xhandamërisë serbe nuk mundet të cilësohet si gabim, sepse morfologjia e terrenit është shumë e theksuar dhe tepër lehtë e identifikuar për detektim të vijës kufitare.

Isufi ka  thënë se faktet hartografike dhe vizuale janë të sakta, e bazuar në to, Qeveria e Kosovës duhet të reagoj ashpër për futjen e personave të armatosur në thellësi kaq të madhe të territorit të Kosovës sidomos pa paralajmërim dhe leje paraprake.

Sipas tij, në analizën e realizuar nga imazhet satelitore dhe krahasimin e tyre me videot dhe foto të bëra në vendin e ngjarjes, mund të konstatohet se xhandarmëria serbe është futur në territorin e Kosovës rreth 300 metra vijë ajrore nga pika më e afërt e kufirit, ndërsa nëpër rrugë edhe më gjatë dhe rreth 700 metra nga vija kufitare në drejtim të fshatit Muhovc.

“Pozicioni i realizuar nga xhirimet e kamerës së sigurisë së restorantit Oksigjen, janë 4400 metra larg nga pika e vëzhgimit të Policisë së Kosovës e cila është e pozicionuar kohë pas kohë në rrugën Rogoqicë-Karaçevë”, ka shkruar Isufi.

Tutje, Isufi ka shtuar se  edhe njohësi më i dobët i hartave mund të orientohet në këtë pjesë të territorit, e le më të dyshohet për një trupë profesionale.