Florim Isufi. Foto: Facebook
Florim Isufi zgjidhet anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së
Ish-anëtari i Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi, Florim Isufi, është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së nga ana e Senatit të këtij universiteti.
Isufi u zgjodh në raundin e dytë të votimeve dhe kundër kandidate e kishte Vjosa Hamitin. Nga 40 vota të senatorëve Isufi mori 21 vota apo 52.2%.
Me dorëheqjen e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së, Zenun Halili që të kandidojë për rektor të UP-së, kjo pozitë kishte mbetur vakante.
Pas kësaj, Universiteti i Prishtinës kishte hapur konkurs në mënyrë që të plotësojë këtë pozitë në këshillë, që është organ vendimmarrës i UP-së për zgjedhjen e të parit të UP-së.
Isufi është profesor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyore dhe ligjëron në departamentin e Gjeografisë, ku për disa vite ka qenë edhe shef i këtij departamenti.
Ai ka qenë pjesë e Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi si dhe anëtar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.