Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Flora Masurica Durmishi caktohet U.D. drejtoreshë e Radio Kosovës

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës gjatë mbledhjes së sotme ka miratuar propozimin e Shkumbin Ahmetxhekaj, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së për caktimin e Flora Masurica Durmishi U.D. Drejtoreshë e Radio Kosovës.

“Z. Ahmetxhekaj ka arsyetuar propozimin për zonjën Masurica Durmishi me kontributin e saj profesional shumëvjeçar në radio dhe planet e përbashkëta për avancimin e pozitës së Radio Kosova 1 dhe 2 në tregun medial të Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Bordi i RTK-së.

Në këtë mbledhje Ahmetxhekaj po ashtu  ka prezantuar një përmbledhje mujore të aktiviteteve dhe punës së tij si U.D Drejtor i RTK-së.

Në komunikatën për media të RTK-së, bëhet e ditur se i pranishëm në mbledhje ishte edhe Arsim Halili, u.d. zëvendësdrejtor i RTK-së, i cili e ka prezantuar një raport të brendshëm për procesin e avancimeve në RTK 1, pas kërkesës së Bordit në drejtim të menaxhmentit për këtë çështje.

Bordi i RTK-së është njoftuar nga u.d drejtori i përgjithshëm se Zyra Kombëtare e Auditimit ka filluar auditimin në RTK lidhur me performancën dhe pasqyrat financiare të RTK-së.

Në këtë mbledhje, Bordi i RTK-së ka miratuar planin vjetor dhe planin strategjik të Njësisë së Auditimit të Brendshëm (NjAB). Njëkohësisht është dakorduar që në ditët në vijim të shpallë thirrjen për rekrutimin e dy anëtarëve të jashtëm për komitetin e auditimit në përputhshmëri me ligjin për kontroll të brendshëm të financave publike.

Në kuadër te efektivitetit të punës së bordit të RTK-së e ka themeluar komisionin për skemën programore në përbërje të tre anëtarëve.