Foto: Komuna e Ferizajt

Ferizaj: Do të gjobiten qytetarët që nuk respektojnë orarin e qarkullimit

Shtabi Emergjent i Komunës së Ferizajt ka mbajtur sot një  takim, ku u vendos që të shtohen kontrollet policore në qytet dhe hyrje të fshatrave.

Po ashtu, Shtabi vendosi të paralajmërojë qytetarët se do të gjobiten nëse nuk respektojnë orarin e qarkullimit.

Sipas një njoftimi të Komunës së Ferizajt, daljet e shumta të qytetarëve pa respektuar orarin e qarkullimit, pas heqjes së Ferizajt nga karantina, kanë nxitur Shtabin e Emergjencës të mblidhet sot herët në mëngjes.

Ky Shtab, i drejtuar nga kryetari i Komunës, Agim Aliu, ku bëjnë pjesë edhe drejtues të institucioneve shëndetësore e të sigurisë, mori vendim që të shtohen kontrollet e prezenca policore në qendrën e Ferizajt si dhe në hyrjet e fshatrave me qëllim kontrollin e qytetarëve që nuk respektojnë kohën e qarkullimit.

Pikë tjetër që u diskutua në këtë takim ishte edhe kontrolli i bizneseve nga Inspektorati i Komunës, pas lejimit të punës së tyre, për respektimin e masave mbrojtëse, distancës fizike mes klientëve dhe kushteve të tjera të parapara në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse, njofton Komuna.

Komuna apelon sërish te qytetarët që të respektojnë orarin e qarkullimit, të mbajnë distancën fizike dhe të zbatojnë masat mbrojtëse në të kundërtën do të përballen me gjoba.