Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Ferizaj, 30 ditë paraburgim të dyshuarve për drogë dhe armëmbajtje pa leje

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve R.M. dhe B.R.

Ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

“I pandehuri R.M. dyshohet se nga muaji janar i ketij viti në Ferizaj, ka furnizuar me substancë narkotike të pandehurin G.H. më pas në afërsi të shtëpisë së tij ka shitur dhe shpërndarë substancën narkotike tek personat e ndryshëm, me ç’rast më 8 tetor 2020 në fshatin Pozhoran, derisa i pandehuri R.M dhe B.R ishin duke bërë shitblerjen e substancës narkotike të llojit heroinë njësia e DHTN në Ferizaj me rastin e bastisjes dhe kontrollit, tek të njëjtit kanë gjetur: dy paketime me peshë 635.1 gram; një paketim me peshë 314.2 gram dhe një paketim me peshë 71.9 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, të cilat janë sekuestruar nga policia”, njofton Gjykata.

Tutje thuhet se asnjë masë tjetër nuk është paraparë si e përshtatshme në këtë fazë të procedurës.

 “Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, vazhdon njoftimi nga Gjykata.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.