Ferizaj, 14 patentë-shoferë iu hoqën kundërvajtësve në trafik javën e kaluar

Me qëllim të parandalimit të aksidenteve, ku 31 të tilla ndodhën vetëm javën e kaluar në rajonin e Ferizajt, drejtoria e Policisë së Kosovës në këtë rajon mori një sërë aktivitetesh.

Këto aktivitete patën cak identifikimin e kundërvajtësve të ndryshëm në komunikacion, ku nga data 5 deri më 11 qershor, zyrtarët policorë të rajonit të Ferizajt kanë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 216 gjoba kundërvajtëse.

Përpos kësaj, këta zyrtarë kanë hequr edhe 14 patentë-shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion.

Sa i përket aksidenteve, në njoftimin policor është thënë se gjatë shtatë ditëve të fundit u raportuan gjithsej 13 aksidente me lëndime, ku 23 persona mbetën të lënduar, e po ashtu u raportuan edhe 18 aksidente me dëme materiale.

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe po ashtu ka apeluar tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor.

Po ashtu, janë ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë dhe për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

Policia ka treguar se të dhënat e raportuesve do të ruhen në konfidencialitet të plotë.