Familjarët e sulmuesve të vrarë në Banjskë kërkojnë të marrin trupat e pajetë

Familjarët janë interesuar që të marrin trupat e pajetë të tre sulmuesve të vrarë serbë të grupit të armatosur, i cili mëngjesin e së dielës më 24 shtator 2023 kreu akt terrorist mbi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Këtë e kanë konfirmuar në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

Sipas ministrisë, trupat e tyre mund të lirohen vetëm më urdhër të Prokurorit.

“Familjaret kanë shfaqur interesim për t’i marrë trupat, mirëpo trupat mund të lirohen vetëm me urdhrin e Prokurorit”- thuhet në përgjigjen e tyre.

MD ka bërë të ditur se autopsia e trupave të pajetë ka përfunduar.

Ndërsa, kanë thënë se trupat e pajetë “do të qëndrojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në kushte adekuate derisa nuk lirohen nga Prokurori”.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë.

Pjesëtarët që u vranë janë Stefan Nedeljkoviq, nga Zveçani dhe Igor Millenkoviq e Bojan Mijailloviq nga Leposaviqi.

Subjekti politik Lista Serbe më 26 shtator përmes një shkrimi në Facebook kanë njoftuar se kanë shpallur 3 ditë zi për vdekjen e bashkëqytetarëve të saj.

Po ashtu, qeveria serbe shpalli 27 shtatorin ditë zie në Serbi pas vrasjes së 3 pjesëtarëve të grupit terrorsit. Veprimi u kritikua edhe nga faktori ndërkombëtar.

Detaje të reja lidhur me pjesëtarët e vrarë të grupit terrorist