Detaje të reja lidhur me pjesëtarët e vrarë të grupit terrorist
Detaje të reja rreth grupit terrorist ka mësuar KALLXO.com gjatë kohës sa po qëndron në Zveçan.
Njëri nga të vrarët e grupit terrorist, Stefan Nedelkoviq, për shkak të shkëmbimit të zjarrit nga një kundërpërgjigje e Policisë se Kosovës fillimisht ishte plagosur e më pas ishte tërhequr zvarrë nga pjesa tjetër e grupit, për t’u lënë në malet e Banjskës.
Vdekja e Nedelkoviqit ishte konfirmuar të dielën ndërsa gjatë ditës së djeshme Policia njoftoi se ka gjetur trupin e tij.
Stefan Nedelkoviq, siç mëson KALLXO.com, ishte nga Zveçani ndërsa dy pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist që u vranë ishin nga Leposaviqi.
Një tjetër i vrarë është edhe Igor Milenkoviq. Ky i fundit jetonte në Leposaviq.
Po ashtu, edhe personi i tretë, Bojan Mijailoviq ishte nga Leposaviqi.
Deri më tani zyrtarisht Policia ka njoftuar se janë vetëm tre të vrarë ndërsa siç ka raportuar KALLXO.com sot po vazhdojnë ende kërkimet në zonën e Banjskës aty ku një grup terrorist gjuajti me armë zjarri në drejtim të Policisë.
Siç merr vesh KALLXO.com edhe sot është gjetur armatim i ri i cili dyshohet se i përket grupit të dyshuar terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës mëngjesin e së dielës.
Armatimi, siç mëson KALLXO.com është gjetur edhe në shtëpi private të cilat janë kontrolluar e bastisur për shkaqe të sigurisë.
Kjo për arsye se në rrethinë ka pasur edhe shtëpi të pabanueshme.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje në të cilat shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, në mesin e grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.