EULEX-i dënon palgosjen në Shtërpcë, përgëzon Policinë për reagim të shpejtë

Shefi i misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark ka reaguar rreth plagosjes së dy personave në Shtërpcë gjatë ditës së sotme.

Përmes një postimi Wigemark ka thënë se EULEX-i dënon sulmin ndaj dy rinjëve dhe ka përgëzuar Policinë e Kosovës për reagim të shpejtë dhe arrestimin e një të dyshuari.

“EULEX-i dënon sulmin e pakuptimtë të sotëm kundër një të riu dhe një djali në Shtërpcë dhe u uron shërim të shpejtë. Mendimet tona janë me familjet e tyre dhe komunitetin lokal. Në të njëjtën kohë, ne përgëzojmë Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e një të dyshuari”- shkruan Wigemark.

Ai shton se në përputhje me mandatin e tij, EULEX. do të monitorojë nga afër hetimin dhe çdo procedurë të mëvonshme ligjore në këtë rast.

KALLXO.com është duke qëndruar në vendin e ngjarjes ku është parë një barrikadë e vendosur nga banorët lokalë në hyrje të Shtërpcës.

Në vendngjarje gjithashtu janë parë edhe Policia e Kosovës të cilët po e monitorojnë situatën.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar se janë plagosur dy persona në Shtëprcë.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar një të dyshuar me inicialet A. K.

Në një komunikatë për media, Policia thotë se nga i dyshuari, hetuesit kanë gjetur e më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Nga A. K. gjithashtu është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve me të cilën dyshohet se ka lëvizur ai.

Ndërkaq ministri i Mbrojtje, Armend Mehaj ka njoftuar se në këtë rast është i përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndaj të cilit Mehaj tha se do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që janë në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së.

PAMJE – Qytetarët bllokojnë rrugët në Shtërpcë