Escobar për takimin e Ohrit: Shpresoj që pas të shtunës do të kemi lajme të mira

Gabriel Escobar, i dërguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, tha të premten se pret rezultate pozitive nga takimi i së shtunës në mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ai këto komente i bëri gjatë një konferencë për media të premten paradite së bashku me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

“Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër. Jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovë dhe Serbisë. Shpresoj që pas të shtunës do të kemi lajme të mira” – tha Escobar para gazetarëve.

“Mirëpres takime shumë produktive në Ohër bashkë me presidentin e Serbisë dhe me kryeministrin e Kosovës. Ne kemi për qëllim që të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit, që të bëhen anëtare të plota të komunitetit euroatlantik” – deklaroi ai.

Ai dha edhe njëherë mbështetjen e ShBA-së për propozimin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

“Mendojmë që ky propozim evropian, i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, ofron një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme mes dy vendeve të rëndësishme të rajonit. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, kemi për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe tërë rajonin, që të zhbllokohen disa prej burimeve më të mira që Ballkani ia siguron vetes dhe tërë Evropës” – tha ai.

Osmani pas takimit me Escobar: Kosova me qasje konstruktive në takimin e Ohrit