Osmani pas takimit me Escobar: Kosova me qasje konstruktive në takimin e Ohrit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka qenë nikoqire e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar te premten paradite në Prishtinë.

Ajo tha se Kosova do të ketë qasje konstruktive në takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Kosova do të vazhdoj të angazhohet me përkushtim të plotë dhe me qasje konstruktive, siç ka bërë gjatë gjithë këtij procesi, e sidomos tani, duke kuptuar momentumin e rëndësishëm që paraqet takimi në Ohër” – tha ajo në konferencë për media.

“Ne besojmë fort, se një marrëveshje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse, ku trajtohemi si dy shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjate, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon me ketë mendësi dhe shpresë për një rezultat pozitiv” – deklaroi para gazetarëve shefja e shtetit.

Sipas saj, një marrëveshje e mundshme Kosovës do t’i sillte shumë të mira në rrugën e saj drejt institucioneve ndërkombëtare dhe integrimit.

“Çdo tendencë që Serbia ka për të penguar këtë qasje, mund ta dëmtoj procesin e tërësishëm të dialogut. Pritshmëria ime si presidente është se marrëveshja do të sjell rezultate konkrete, të prekshme për Kosovën, rrjedhimisht do të siguroi integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, do të siguroi integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës, kjo do të rezultojë me shpërbërjen efektive të menjëhershme të strukturave ilegale të Serbisë” – tha ajo.

Në fund, ajo tha se do të ruhet integriteti i shtetit.

“Është me rëndësi të përsërisë se, rendi Kushtetues i Kosovës, integriteti territorial e sovraniteti i vendit si dhe funksionaliteti i Kosovës të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator” – deklaroi presidentja Osmani.