Escobar për Asociacionin: Është detyrim ligjërisht i obligueshëm, Kurti po turbullon ujërat duke e refuzuar

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë online për media është pyetur se a pajtohet me idenë se “Kosova ka të drejtë ta hedh çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në referendum”.

Për këtë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor u përgjigj duke thënë se asociacioni është detyrim ligjërisht i obligueshëm.

“Është detyrim ligjërisht i obligueshëm, kështu që mund të them se kryeministri aktual po turbullon ujërat duke thënë se Kosova mund ta refuzojë (asociacionin). Pra, duke refuzuar detyrimet e saj ligjore Kosova po refuzon rrugën evropiane sepse (asociacioni) është obligim mes Kosovës dhe Serbisë por është edhe obligim ndërmjet Kosovës dhe BE-së”- tha Escobar.

Ai u shpreh se do ta ndihmojnë Kosovën që ta përpunojë asociacionin në mënyrë të atillë që ai të jetë brenda kornizës së kërkesave evropiane.

“Pra ne nuk po kërkojmë nga Kosova që të bëjë diçka që tashmë nuk kërkohet të bëjë, por ajo që po themi është se do t’i ndihmojmë që ta përpunojnë atë në një mënyrë që të jetë brenda kornizës së kërkesave evropiane dhe që të jetë një nivel i ofrimit të komunës, shërbimeve në gjuhën serbe për qytetarët e Kosovës që flasin gjuhën serbe në përputhje me politikat evropiane dhe kartën evropiane”-tha i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

“Brenda këtij konteksti nuk ka asnjë model evropian ku një shtet fqinj mund të arrijë në kufijtë e një vendi tjetër dhe të ndikojë në kushtetutshmërinë dhe strukturën e tij ligjore dhe funksionalitetin e tij. Pra ky është qëllimi ynë”-shtoi ai.

Escobar tha se nuk e kuptojnë pse qeveria e Kosovës refuzon të pranojë kërkesat e saj ligjore.

“Kemi dëgjuar shumë për kryeministrin që këmbëngul se gjithçka që ai po bën është zbatimi i sundimit të ligjit, por sundimi i ligjit gjithashtu kërkon që ai të pranojë detyrimet e tij ndërkombëtare….Pra, nëse duam të flasim për shtetin e së drejtës, asociacioni është pjesë e tij”- tha ai.

Ndërkaq, Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano kishte deklaruar se një ftesë për sesionin e parë hartues të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në nivel ekspertësh, u ishte dërguar Kosovës dhe Serbisë më 5 dhe 6 qershor.

Në një prononcim për KALLXO.com, Stano kishte theksuar se takimi nuk ka mundur të zhvillohet për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës.

“Një ftesë për sesionin e parë hartuese të ASK-së në nivel ekspertësh iu dërgua të dyja palëve më 5/6 qershor. Takimi nuk ka mundur të zhvillohet për shkak të përshkallëzimit në terren”- kishte thënë Stano.

Takimi i fundit në nivel të lartë në Bruksel ishte mbajtur më 2 maj të këtij viti. Në këtë takim ishte miratuar Deklarata për Personat e Zhdukur si dhe ishte prezantuar drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit, por që u refuzua menjëherë nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kishte deklaruar se i ka dorëzuar presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Ola Scholz një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me tensionet në veri, deklaroi se beson që çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.

Ai kishte thënë se për draftin e Asociacionit ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe palën amerikane.

Më 2 maj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferencë për media pas takimit trepalësh në Bruksel kishte thënë që, “dëshira e tyre [e ekipit menaxhues] për një Republikë Serbe e ka shkruar këtë statut të [Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe]”.

Kurti shtoi se ka propozuar një draft vizion që përshkruan vlerat, parimet dhe kornizën që duhet të rregullojë çështjen e komuniteteve jo shumicë.

“Besoj se propozimi im do të merret seriozisht nga ndërmjetësit, pasi do të na mundësojë të ndërtojmë diçka të mirë, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë, jo vetëm për serbët, të cilët duhet të jenë në gjendje të jetojnë në vendin tonë dhe të jenë anëtarë të shoqërinë tonë”, tha Kurti.

Pas prezantimit të draft-statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, shkarkoi Ekipin Menaxhues të ngarkuar për hartimin e statutit.