BE thotë se ishte caktuar një takim Kosovë-Serbi për Asociacionin, u shtye për shkak të situatës në veri

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se një ftesë për sesionin e parë hartues të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në nivel ekspertësh, u ishte dërguar Kosovës dhe Serbisë më 5 dhe 6 qershor.

Në një prononcim për KALLXO.com, Stano thekson se takimi nuk ka mundur të zhvillohet për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës.

“Një ftesë për sesionin e parë hartuese të ASK-së në nivel ekspertësh iu dërgua të dyja palëve më 5/6 qershor. Takimi nuk ka mundur të zhvillohet për shkak të përshkallëzimit në terren”- ka thënë Stano.

Ai është shprehur se në vend të këtij takimi, emisari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak ka shkuar në Prishtinë dhe Beograd dhe se BE-ja është gati të presë së shpejti sesionin e hartimit dhe është në kontakt me të dyja palët.

“Emisari i BE-së, Lajçak në vend të kësaj udhëtoi për në Prishtinë dhe Beograd. BE-ja si Lehtësues i Dialogut është gati të presë së shpejti sesionin e hartimit dhe është në kontakt me të dyja palët”- tha Stano.

Zëdhënësi i BE-së më tej ka folur edhe për propozimin e një draft statuti nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin Stano tha se “çdo kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur”.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e rajonit dhe të vendeve anëtare të BE-së. Siç është thënë shumë herë më parë, diskutimi dhe hartimi i një Statuti të Asociacionit/Bashkësisë mund të bëhet vetëm në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”- theksoi Stano për KALLXO.com.

Takimi i fundit në nivel të lartë në Bruksel ishte mbajtur më 2 maj të këtij viti. Në këtë takim ishte miratuar Deklarata për Personat e Zhdukur si dhe ishte prezantuar drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit, por që u refuzua menjëherë nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama të enjten ka deklaruar se i ka dorëzuar presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Ola Scholz një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me tensionet në veri, deklaroi se beson që çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.

Ai tha se për draftin e Asociacionit ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe palën amerikane.

Më 2 maj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferenë për media pas takimit trepalësh në Bruksel kishte thënë që, “dëshira e tyre [e ekipit menaxhues] për një Republikë Serbe e ka shkruar këtë statut të [Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe]”.

Kurti shtoi se ka propozuar një draft vizion që përshkruan vlerat, parimet dhe kornizën që duhet të rregullojë çështjen e komuniteteve joshumicë.

“Besoj se propozimi im do të merret seriozisht nga ndërmjetësit, pasi do të na mundësojë të ndërtojmë diçka të mirë, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë, jo vetëm për serbët, të cilët duhet të jenë në gjendje të jetojnë në vendin tonë dhe të jenë anëtarë të shoqërinë tonë”, tha Kurti.

Pas prezantimit të draft-statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, shkarkoi Ekipin Menaxhues të ngarkuar për hartimin e statutit.

Sipas Krasniqit, “ky ekip tashmë është vetë pa status”.

Ekipi përgjegjës për hartimin e Statutit të Asociacionit përbëhej nga Jelena Boloviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq dhe Danijela Vujiçiq.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, këtë vendim e ka cilësuar si shkelje të frymës së marrëveshjeve të Brukselit, duke theksuar se këso hapa duhet të ndërmirren vetëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Drafti i parë i statutit u prezantua nga ekipi menaxhues më 2 maj në dialogun e nivelit të lartë, i cili tashmë nis procesin e negociatave. Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” ka thënë Stano në disa përgjigje për KALLXO.com.

Formimi i Ekipit Menaxhues ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.