Escobar fton Serbinë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të dalin para drejtësisë

Përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, ka deklaruar se gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në fokus të bisedës ka qenë gjendja e sigurisë në Kosovë, pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë.

Escobar,i ka bërë thirrje Serbisë që t’i vë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për atë sulm.

Ai ka thënë se kanë diskutuar për sfidat, përfshirë edhe vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për të gjetur mënyra për të ecur përpara me dialogun.

“Patëm një bisedë shumë të sinqertë lidhur me gjendjen e sigurisë dhe jemi tepër të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit. E ftojmë Serbinë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari të plotë për atë sulm. Po ashtu, gjatë 2-3 ditëve të ardhshme do të kalojë kohë duke vizituar njerëz, sepse ka shumë punë për të diskutuar për disa prej sfidave që po përballemi tani, duke përfshirë edhe vendimin e BQK-së, dhe për të gjetur mënyra se si të ecim përpara me dialogun i cili përfshin asociacionin dhe jo vetëm atë”, ka deklaruar Escobar.

Sipas tij, të dyja palët duhet të vazhdojnë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura për të pasur një marrëveshje historike.

“Nuk është një përpjekje unilaterale që vetëm Kosova të marrë vendimin e zorshëm që Marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet, por e ftojmë edhe Serbinë ta bëj të njëjtën gjë ” – ka thënë Escobar.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, më 14.03.2024 do ta takojë edhe kryeministri Albin Kurti.

Temë e diskutimeve të Escobarit në Kosovë, siç është paralajmëruar, do të jetë edhe çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb për pagesa dhe transaksione të tjera në Kosovë, si dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se Escobar do të takohet me drejtuesit e institucioneve të Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb të Kosovës “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

DASH kishte njoftuar që Escobar do të zhvillojë takime mbi ndikimin e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve kosovarë të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje.