Escobar flet për tre hapat që duhen ndjekur për situatën në veri

Largimi i njerëzve nga rrugët në veri, mosdalja e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit në zyrë dhe mbajtja e zgjedhje të reja me pjesëmarrje të plotë e të pakushtëzuar, janë tre hapat që sipas emisarit amerikan, Gabriel Escobari duhet të ndiqen për të shtensionuar situatën mes Kosovës dhe Serbisë.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka folur për këto hapa në një intervistë të dhënë për Radiotelevizionin Kroat (HRT), gjatë qëndrimit të tij në Kroaci për Forumin e Dubrovnikut.

I pyetur se a po shkohet drejt një zgjidhjeje, Escobar tha se në rast se Kosova dhe Serbia nuk e pranojnë planin për shtensionim që Bashkimi Evropian po ua ofron, mund të shohim një krizë edhe më të thellë.

“Tre hapa që janë theksuar nga zotëri (Joseph) Borell dhe zotëri (Miroslav) Lajçak janë shumë të thjeshta. Hapi i parë është që duhet të largojmë njerëzit nga rrugët, kryetari i mbetur (në zyrë), duhet të mos dalë në zyrë, për të krijuar shpërqendrim. Duhet të mbahen zgjedhje të reja me pjesëmarrje të plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve” – u shpreh ai.

Pas këtyre veprimeve, ai tha se duhet të fillohet procesi i zbatimit të një kalendari se si Serbia do të zbatojë pjesën e saj dhe një draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës.

Marrëveshja e Ohrit, sipas Escobarit ishte marrëveshje për normalizim për të krijuar kushte paqësore mes “dy fqinjëve armiqësor në terma evropianë.”

“Me fjalë të tjera, ata jo vetëm që po normalizonin marrëdhënien e tyre, por edhe po harmonizoheshin me Bashkimin Evropian. Duhet të kthehemi aty” – shtoi ai.

Ajo marrëveshje, siç thotë i dërguari i SHBA-së, krijon kushte reale për ta thelluar integrimin evropian të të dyja vendeve.

Çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe, ai e cilëson si destabilizim serioz të aktiviteteve dhe veprimeve që kanë larguar në zbatimin e asaj marrëveshjeje.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Po ashtu, është raportuar për lëndimin e dhjetëra protestuesve serbë.