Protresta e punëtorëve të sigurimit fizik të KEK-ut, Foto: KALLXO.com
"Ende nuk e kanë marrë pagën e muajit janar" - punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut në protestë, kërkojnë kthimin si punëtorë të rregullt
Sindikata e Sigurimit Fizik të Korporatës Energjetike të Kosovës ka protestuar para zyrave të menaxhmentit të KEK-ut në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka bërë të ditur se punëtorët e sigurimit fizik ende nuk e kanë marrë rrogën e muajit janar, edhe pse kanë kaluar 20 ditë që nga përfundimi i muajit.
“Sot, këta punëmarrës, si rezultat i operatorëve ekonomikë që në vazhdimësi marrin tenderë dhe si rezultat i keqmenaxhimit të KEK-ut , sot këta punëtorë, më 20 shkurt nuk e kanë marrë pagën e janarit”- tha Nexhat Llumnica në protestën e mbajtur më 20.02.2024.
Dhjetëra punëtorë të sigurimit fizik protestuan me arsyetimin e pagave të ulëta, kushteve të rënda të punës dhe tenderimit, i cili sipas tyre është “i paligjshëm”. Ata po kërkojnë kthimin e tyre si punëtorë të rregullt të KEK-ut dhe jo të tenderohen sipas tyre në mënyrë të jashtëligjshme në sektorin privat.
Gjatë protestës iu bë thirrje meaxhmentit të KEK-ut si dhe qeverisë që të merren masa ose punonjësit do të tërhiqen nga puna.
Disa nga protestuesit hynë në zyrat e menaxhmetit të KEK-ut për të biseduar në lidhje me kërkesat. Pas takimit disaminutësh, të njëjtit thanë se kanë marrë premtim se do të diskutohet në lidhje me kërkesat e tyre.
Përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në KEK, Nexhat Murati, deklaroi se nëse këto kërkesa nuk realizohen, do të marrin edhe masa të tjera.
Kjo nuk është protesta e parë me kërkesa të njëjta e punëtorëve të sigurimit fizik. Më 28.08.2023, punëtorët kishin gjuajtur me vezë zyrat e menaxhmetit të KEK-ut në sheshin “Zahir Pajaziti” duke kërkuar kthimin e tyre si punëtorë të rregullt të KEK-ut. Edhe më 15.03.2022 punëtorët e sigurimit fizik kishin kërkuar kthimin si punëtorë të rregullt.
Pakënaqësitë për pagat e ulëta dhe kushtet e punës kanë nxjerrë në protesta edhe me parë punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës. KALLXO.com ka raportuar edhe për protestat e kaluara të punëtorëve të KEK-ut lidhur me kërkesat e tyre.
Më 22.12.2023 është mbajtur protestë nga punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës ku kërkesë e tyre kryesore ishte rritja e pagave.
Pas kësaj, më 27.12.2023, Sindikata e Re e KEK-ut ka njoftuar se pas bisedimeve me menaxhmentin e KEK-ut është miratuar vendimi për rritje të pagave prej 70 euro dhe një bonus prej 300 euro për fundvit, me këtë rast ishte anuluar protesta e planifikuar të mbahej më 28.12.2023.