Ekskluzive - Detaje nga operacioni i Shtërpcës

Kamerat e sigurisë që ishin të vendosura në qytetin e Shtërpcës sot janë larguar nga Policia e Kosovës në një aksion të gjerë të udhëhequr nga Prokuroria e Ferizajt, me urdhër të Gjykatës, mbi dyshimin se struktura ilegale janë duke vepruar kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale – bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit.

Dyshimet janë se pamjet e këtyre kamerave që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe të institucioneve publike të Republikës së Kosovës janë bartur më pas në Serbi.

Se ka dyshime të bazuara se pamjet e kamerave janë bartur në Serbi e ka konfirmuar për KALLXO.com prokurori i rastit Rasim Maloku.

“Kemi dyshime se pamjet e kamerave të sigurisë dhe informacionet e marra nga to janë bartur në shtetin e Serbisë tek struktura e sigurisë atje”, ka theksuar Maloku.

Prokurori Maloku ka thënë sot gjatë aksionit në qytetin e Shtërpcës se ka filluar një hetim ndaj 99 personave që kanë organizuar strukturat ilegale në komunën e Shtërpcës.

“Kemi filluar një hetim ndaj 99 personave që kanë bërë këto organizime kundërkushtetuese duke bërë mbledhjen e informacioneve të cilat me pas i kanë bartur në strukturat e sigurisë në shtetin e Serbisë”, theksoi Maloku.

Maloku këto komente i ka bërë gjatë kohës sa Policia e Kosovës ishte duke i sekuestruar materialet në objektet e strukturave ilegale në Komunën e Shtërpcës e po ashtu ishin duke u bastisur edhe 3 lokacione të tjera.

“Janë duke u bastisur 4 lokacione dhe janë duke u hequr kamerat e sigurisë. Këto struktura ilegale janë kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale – bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit”, tha Maloku për KALLXO.com.

Aksioni i sotëm nuk ishte i lidhur direkt me ndërtimet pa leje në Brezovicë por ndërlidhet me disa të arrestuar të Brezovicës pasi që njëri nga ta, përkatësisht ish-kryetari i Komunës, Bratisllav Nikoliq, është edhe koordinator i strukturave ilegale e që këto struktura kanë menaxhuar  me kamerat e sigurisë që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës.