Rrahja në Liqenin e Vërmicës

Edhe tre të arrestuar lidhur me sulmin ndaj zyrtarëve të Federatës së Peshkatarëve

Prokuroria e Prizrenit ka arrestuar edhe tre të dyshuar të tjerë, A.S., S.P., I.S. lidhur me sulmin ndaj zyrtarëve të Federatës së Peshkatarëve në Vërmicë.

Gjykata e Prizrenit më 4 shtator, kishte caktuar arrest shtëpiak për dy të pandehur të tjerë, të dyshuar për këtë sulm.

Sulmi dyshohet se ndodhi pas inspektimit që është bërë në Liqenin e Vërmicës dhe konfiskimit të rrjetave ilegale për zënien e peshkut.

Kryetari i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, Milaim Vitia pati thënë se policia ishte vonuar në intervenim.

“I kam lajmëruar Policinë nja 10 herë, po nuk kanë ardhur nja një orë. I kam njoftu edhe gjatë rrahjes i kam njoftuar, një orë e gjymë ka bo me ardhë ndihma e shpejtë, me na dhonë ndihmën e parë në vendngjarje” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Vitia tha se ka disa muaj që përballen me problemin e njëjtë – peshkimin ilegal – në Liqenin e Vërmicës.

“Që tre muaj ballafaqohemi me rrjeta në Liqenin e Vërmices me rrjeta, me gjëra të paligjshme, që janë të ndaluara nga të njëjtit persona. Pardje kemi konfiskuar rrjeta e anije” – ka thënë Milaim Vitia.

Vitia ka shtuar edhe se sulmuesit kanë pasur edhe armë me vete.