Edhe pak ditë për Kurtin për ta formuar qeverinë

Edhe gjashtë ditë i kanë mbetur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Më 20 janar, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka mandatuar zyrtarisht Albin Kurtin për kryeministër.

Numërimi së prapthi për Kurtin ka filluar që nga 21 janari dhe vazhdon deri më 4 shkurt.

Javën e parë të 15 ditëshit, Kurti dhe Mustafa nuk u takuan.

Kryetari i LDK-së  Isa Mustafa deklaroi se me Kurtin takohet vetëm për nënshkrimin e marrëveshjes.

Kështu që komunikimi i partnerëve të ‘koalicionit të shpresës’ vazhdoi vetëm përmes letrave.

Albin Kurti kërkoi nga LDK që të heq dorë nga kërkesa e saj për kryeparlamentarin dhe t’i kthehet tavolinës së bisedimeve ndërsa LDK vazhdoi me kërkesën e njëjtë, postin e kryeparlamentarit deri në zgjedhjen e Presidentit, 5 ministri si dhe garancën për Presidentin.

Të premten, Kurti e Mustafa u kthyen në tavolinën e bisedimeve, ku zhvilluan një takim larg medive.

Të hënën u mbajt takimi i radhës Kurti-Mustafa, e as ky takim nuk prodhoi marrëveshje. Takimi zgjati mbi tri orë, dhe të dy liderët i ikën mediave duke mos u deklaruar.

Të martën LVV dhe LDK zhvilluan edhe një takim në prezencën e ambasadorëve të Quint-it, mirëpo as ky takim nuk solli marrëveshjen.

Pas përfundimit të takimit të së martës, mediave iu drejtuar kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i cili tha që as në këtë takim nuk kanë arritur që të nënshkruajnë marrëveshjen, por shtoi se nëse LVV i pranon kushtet e tyre marrëveshja mund të arrihet në çdo moment.

Në anën tjetër deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu ka konfirmuar se nga takimi i djeshëm nuk ka pasur marrëveshje për shkak të insistimit të LDK-së për postin e kryeparlamentarit.

Kështu, nga sot Albin Kurti i ka në dispozicion 6 ditë që të arrijë marrëveshje me partitë politike në vend për të krijuar shumicën brenda legjislativit.

“Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thuhet në Nenin 95 Kushtetutës së Kosovës, i cili flet për zgjedhjen e Qeverisë.