Kriza e ideve: Letërkëmbimet ‘mjegullojnë’ marrëveshjen LVV-LDK

Rikthimi në tavolinën e bisedimeve dhe heqja dorë nga kërkesa për postin e kryeparlamentarit është oferta e fundit të cilën kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ia ka bërë kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa.

Letra e fundit ka arritur dje në zyrat e LDK-së, e për këtë formë të komunikimit mes partnerëve potencial të koalicionit, kryetari i LVV-së Albin Kurti  ka shprehur ‘keqardhje’ ashtu siç ka shprehur ‘keqardhje’ edhe për kërkesën e LDK-së për postin e kryeparlamentarit.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa letrën dy faqëshe të Kurtit nuk e konsideroi zyrtare.

E komunikimin me letra, njohësi i çështjeve politike në vend, analisti politik Blerim Vela e sheh  si ‘ indikacion që palët nuk kanë ide kreative për t’u kthyer në tavolinën e bisedimeve’.

“Paradoksalisht, qëndrimet e LVV dhe LDK kurrë nuk kanë qenë më afër, por në të njëjtën kohë po ashtu palët kurrë nuk kanë qenë më pranë që të deklarojnë dështimin e negociatave”, tha ai për KALLXO.com.

‘Riciklim’ ofertash

Përderisa më herët LVV-ja dhe LDK-ja nuk mund të vendosnin për postin e presidentit, pas seancës konstituive të 26 dhjetorit në të cilën Glauk Konjufca u zgjodh kryeparlamentar, dolën propozime të reja, por jo edhe marrëveshja.

Të martën LVV-ja ka propozuar formulë për krijimin e qeverisë së re. Sipas LVV-së, përveç pozitës së Kryeministrit, numri i ministrive duhet të shtohet nga 12 në 14 sosh, ndërsa 5 ministri t’i takojnë VV-së e 6 LDK-së.

Poashtu edhe Zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, zëvendëskryeministri i dytë LVV-së ndërsa kanë propozuar edhe një formulim për pozitën e shefit të shtetit.

“Formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK”, thuhet në letrën që Albin Kurti ia ka dërguar Isa Mustafës.

Të mërkurën LDK-ja publikoi të shkruar ofertën verbale të 8 janarit, në të cilën partia e Isa Mustafës ka kërkuar zëvendëskryeministrin e parë, nga 5 ministri ndërsa kanë propozuar edhe një formulë të re për postin e të parit të Kuvendit të Kosovës dhe Presidentit të vendit.

“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së”, thuhet në letrën LDK ka dorëzuar në adresë të Albin Kurtit.

 E Kurti u përkujdes që përgjigjen e tij, ta kthente të enjten. Në dy faqet e letrës së tij, Kurti përsëriti qëndrimin e LVV-së se zgjedhja e Konjufcës në postin e kryeparlamentarit është e pakthyeshme.

Duke e konsideruar si jodemokratike kërkesën e LDK-së, Kurti ka thënë që ndërrimi i krye parlamentarit do të ishte ‘ujdi monarkësh’.

“Qeverisja jonë e përbashkët që e synojmë do të kishte ogur fort të keq nëse për gurthemeltar ka bërjen kurban të Kryetarit të Kuvendit, në këtë rast të Z. Glauk Konjufca, dhe shkeljen e vullnetit të lirë të deputetëve të Kuvendit që e zgjodhën atë”. thekson Kurti.

‘Kali i Trojës’ në tavolinë të bisedimeve

Për analistin Blerim Vela, mungesa e besimit të ndërsjellë mes LVV-së dhe LDK-së reflekton në ndarjen e përgjegjësive.

“Mosbesimi i ndërsjellë është i lidhur me ndarjen e përgjegjësive dhe udhëheqjen e institucioneve kyçe. Formulat e bashkëqeverisje nga të dy palët do të duhet të adresoj vetëm këtë çështje dhe të tregoj se a janë palët të gatshme të sakrifikojnë pak nga interesi i tyre politik për të mirën e përgjithshme”, tha ai për KALLXO.com.

Duke ju referuar rolit të LDK-së në këto bisedime, Vela ka thënë që LDK në fillim ka mbajtur qëndrim tepër të ngurtë.

“Tek pas Vitit të Ri ka lëvizë nga insistimi i saj që të udhëheq njëkohësisht me pozitën e Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të vendit. Sikur LDK të bënte këtë ofertë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, me siguri se marrëveshja për bashkëqeverisje do të arrihej”, tha ai.

Sipas tij me zgjedhjen e kandidatit të LVV-së për kryetar të Kuvendit, LVV ka zvogëluar hapësirën për negociata me LDK.

“Propozimi i fundit i LDK për udhëheqjen e Kuvendit është “kali i Trojës” që tenton të godasë unitetin e brendshëm të LVV dhe në të njëjtën kohë të këtë në “dorëzani” kryetarin e zgjedhur të Kuvendit që LVV të mbështetë kandidatin/en e propozuar nga LDK për President/e të vendit”, theksoi ai.