Isa Mustafa: Ne mund të lidhim marrëveshje në çdo moment nëse Vetëvendosje pranon kushtet tona

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Këtë e ka bërë të ditur kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

“Si LDK ne jemi të bindur se zgjidhja të cilën e kemi ofruar kohëve të fundit është një zgjidhje që i kontribuon marrëveshjes qeverisëse, e cila balancon mbi suazat e votave dhe besimit të qytetarëve në zgjedhjet e tetorit. U shprehëm se mbesim të hapur në qoftë se LVV si parti e parë i pranon kushtet tona për bashkëqeverisje ne jemi të gatshëm në çdo moment të lidhim marrëveshje”, tha Isa Mustafa.

Në takim kanë qenë të pranishëm edhe ambasadorët e vendeve të Quint-it si dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ndërsa LDK e dyta.

Që nga shpallja e rezultateve, të dy partitë kanë nisur negociatat për dakordimin e planprogramit qeverisës, për të cilin ishin pajtuar pothuajse 100 për qind, por arritja e marrëveshjes ka mbetur peng i ndarjes së pozitave të larta shtetërore.