Isa Mustafa - Albin Kurti

Pas takimit, Kurti e Mustafa ikën tinëz

Takimi i sotëm mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës ka përfunduar mirëpo të dy liderët së bashku me delegacionet e tyre, kanë preferuar që detajet për këtë takim të mos i bëjnë publike.

Ata kanë zgjedhur që largimin e tyre nga ndërtesa e Kuvendit ta bëjnë fshehurazi dhe larg mediave.

I pari që është larguar nga ndërtesa e Kuvendit ka qenë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ndërsa pas pak minutash është larguar edhe Albin Kurti.

Nuk dihet se çfarë është diskutuar, mirëpo takimi në fjalë ka zgjatur rreth 3 orë, dhe para këtij takimi, kryetari i LVV-së Albin Kurti është shprehur optimist se do të ketë përafrim të qëndrimeve.

Ndërsa nënkryetari i LDK-së Agim Veliu ka thënë që LDK-ja nuk heq dorë nga kërkesa për postin e kryeparlamentarit si dhe presidentit.

Zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, e para në këto zgjedhje ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa e dyta LDK.

Këto dy parti parimisht janë pajtuar për formimin e koalicionit, madje kanë deklaruar se kanë harmonizuar edhe planprogramin.

Mirëpo ndarja e posteve ka bërë që për dy javë rresht LDK dhe VV të komunikojnë me letra, për të ju kthyer tavolinës së bisedimeve të premten.

Fillon takimi Kurti – Mustafa