Rron Gjinovci. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Edhe ORCA kundër kërkesës së Zemajt për rritjen e numrit të studentëve të Mjekësisë

Drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci nuk e ka përkrahur kërkesën e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë.

Sipas Gjinovcit, kuota e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë është caktuar nga ana e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

“ORCA edhe më herët kur ka pasur tentativa për ndërhyrje prej ministrit të kaluar të Shëndetësisë dhe Arsimit në lidhje me këtë çështje e ka kundërshtuar, sepse kjo nuk varet prej dëshirave të ministrave, por prej kushteve të akreditimit me të cilat janë akredituar programet”, thotë Gjinovci.

“Programet janë akredituar nga Agjencia e Akreditimit me numër të caktuar studentësh dhe ato nuk munden me ndryshu, sepse në atë moment që ndryshohet sa i përket kuotave të studentëve prishen kushtet e akreditimit dhe tërhiqet akreditimi”, shtoi Gjinovci për KALLXO.com.

Gjinovci thotë se në rast se ndodhë shtimi i numrit të studentëve, pa një vlerësim nga ekspertët ndërkombëtarë, atëherë automatikisht i rrezikohet akreditimi Fakultetit të Mjekësisë.

“ORCA mendon që nëse dikush ka kapacitet për me pasë një numër më të madh të studentëve të Mjekësisë, ajo është UP-ja. Fatkeqësisht, në të kaluarën ka ndodhur që programe të caktuara në kolegje private kanë arritur të marrin numër më të madh të studentëve sesa UP. Se qysh ka ndodhë kjo, duhet me hetu prokuroria sepse është e pamundur që ndonjë kolegj i ka kushtet më të mira sesa UP për studimet e Mjekësisë, e cila edhe i ka programet e akredituara, me më pak studentë sesa kolegjet private”, tha ai më tej.

Ai në fund tha se të gjitha mekanizmat duhet të ndalojnë çfarëdo ndërhyrje në këtë proces.

“Ne besojmë që gjithë bashkë edhe agjencia dhe shoqëria civile dhe fakulteti i Mjekësisë dhe UP-ja nuk do të lejojnë që të bëhet kjo ndërhyrje”, tha drejtori i ORCA-s për KALLXO.com.

Dje, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar që të rritet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2020/2021, për arsye të numrit të vogël të mjekëve në Kosovë.

Zemaj kishte bërë të ditur se kërkesën e ka drejtuar tek ministri i Arsimit, Ramë Likaj, tek menaxhmenti i UP-së dhe tek dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu.

Por, as dekanja e Fakultetit të Mjekësisë dhe as rektori i UP-së nuk janë pajtuar me kërkesën e ministrit, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve.

“Lidhur me shqetësimin e ngritur për rritjen e numrit të studentëve pas përfundimit të gjithë procesit të konkursit për studentët e rinjë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës (FMUPHP), ju njoftoj se FMUPHP do të kërkojë rritjen e numrit të studentëve gjatë procesit të ardhshëm të riakreditimit të programeve mësimore në pajtim me kriteret e parapara nga ekspertët ndërkombëtarë, si dhe të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC)”, thuhet në letrën e dekanes për ministrin, Armend Zemaj dërguar KALLXO.com.

Kurse, rektori i UP-së, Naser Sahiti tha se nuk mund ta aprovojnë një gjë të tillë pasi, sipas tij, kjo çështje rregullohet nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Kërkesa ka ardhur sot, por neve na kufizon vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, plus edhe konkursi që ka dalë në të njëjtën shifër dhe nuk janë mundësitë e rishqyrtimit sepse kjo është kry. Studentët vetëm kanë filluar mësimin”, tha Sahiti.

KALLXO.com po ashtu ka dërguar pyetje në drejtim të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj si dhe tek bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në lidhje me këtë çështje dhe është duke pritur përgjigje.

Çështja e rritjes së numrit të studentëve kishte filluar ditë më parë nga ana e deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj e cila kishte kërkuar një gjë të tillë nga ana e Ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

Ajo kërkesën e kishte bërë pasi disa studentë që nuk ishin pranuar në Fakultetin e Mjekësisë kishin bërë ankesë në Komisionin për Shëndetësi.

Ndërsa, vitin e kaluar, ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte obliguar Universitetin e Prishtinës që të rris numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë edhe pse Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) e kishte kundërshtuar një gjë të tillë.

Në anë tjetër, KShC ëshë organ që vendos për rritje të numrit të studentëve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.