Naser Sahiti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rektori i UP-së kundër kërkesës së Zemajt për rritjen e numrit të studentëve të Mjekësisë

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, ka komentuar kërkesën e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Sahiti për KALLXO.com tha se nuk mund ta aprovojnë një gjë të tillë pasi, sipas tij, kjo çështje rregullohet nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Kërkesa ka ardhur sot, por neve na kufizon vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, plus edhe konkursi që ka dalë në të njëjtën shifër dhe nuk janë mundësitë e rishqyrtimit sepse kjo është kry. Studentët vetëm kanë filluar mësimin”, tha Sahiti.

Rektori po ashtu tha se rekomandimi i UP-së është që të respektohen kuotat e përcaktuara nga ana e KShC.

“Na rekomandojmë që të respektohen kuotat që i ka paraparë KShC sepse mund të rrezikohet edhe akreditimi dhe nuk mund të marrim diçka në kundërshtim me vendim të KShC-së, sepse ato nuk janë marrë në vendime arbitare por nga një analizë të mirëfilltë të kapaciteteve të fakulteteve, nevojave të tregut të punës dhe si përfundim i tillë, ato kuota janë miratuar në Senat dhe i ka aprovuar Ministria dhe nuk mundemi ne tash të shkojmë më kuota tjera”, tha më tej Sahiti për KALLXO.com.

Dje, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar që të rritet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2020/2021, për arsye të numrit të vogël të mjekëve në Kosovë.

Zemaj kishte bërë të ditur se kërkesën e ka drejtuar tek ministri i Arsimit, Ramë Likaj, tek menaxhmenti i UP-së dhe tek dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu.

Por, as dekanja e Fakultetit të Mjekësisë nuk është pajtuar me kërkesën e ministrit, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve, pasi sipas saj, një gjë të tillë do ta bëjë vetëm sipas procedurave të akreditimit.

“Lidhur me shqetësimin e ngritur për rritjen e numrit të studentëve pas përfundimit të gjithë procesit të konkursit për studentët e rinjë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës (FMUPHP), ju njoftoj se FMUPHP do të kërkojë rritjen e numrit të studentëve gjatë procesit të ardhshëm të riakreditimit të programeve mësimore në pajtim me kriteret e parapara nga ekspertët ndërkombëtarë, si dhe të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC)”, thuhet në letrën e saj për ministrin, Armend Zemaj dërguar KALLXO.com.

KALLXO.com po ashtu ka dërguar pyetje në drejtim të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj në lidhje me këtë çështje dhe është duke pritur përgjigje.

Çështja e rritjes së numrit të studentëve kishte filluar ditë më parë nga ana e deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj e cila kishte kërkuar një gjë të tillë nga ana e Ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

Ajo kërkesën e kishte bërë pasi disa studentë që nuk ishin pranuar në Fakultetin e Mjekësisë kishin bërë ankesë në Komisionin për Shëndetësi.

Ndërsa, vitin e kaluar, ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte obliguar Universitetin e Prishtinës që të rris numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë edhe pse Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) e kishte kundërshtuar një gjë të tillë.Në anë tjetër, KShC ëshë organ që vendos për rritje të numrit të studenteve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.