Edhe një ish-ushtar i UÇK-së ftohet për intervistim nga Haga
Gjykata Speciale edhe sivjet po vazhdon të dërgojë ftesa për intervistim në Hagë.
I ftuari i radhës është ish-ushtari i UÇK-së, Ramiz Kukaj nga Korisha e Prizrenit. Ftesa nga Specialja u bë e ditur nga familjarët e Kukajt përmes rrjetit social “Facebook”.
Kjo është ftesa e katërt për sivjet. Ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës në kuadër të PDK-së, Ferat Shala është ftuar nga Specialja, ish- pjesëtari i UÇK-së, Agron Limani nga zona operative e Pashtrikut dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Imer Zogaj po ashtu janë ftuar nga Gjykata Speciale.
Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000. /21Media