E konfirmon Gjykata Speciale: Kadri Veseli po qëndron në Kosovë

Ish-lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është duke qëndruar në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Sekretarinë që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe nën mbikëqyrjen e Dhomave të Specializuara”, ka bërë të ditur ajo.

Tutje Griep ka shtuar se EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës sa i përket kësaj çështjeje.

Në media sot ka qarkulluar një lajm se Veseli është duke qëndruar në Kosovë, më konkretisht në Mitrovicë, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të babait të tij.