Ilustrim

Dyshohet se vodhi nëpër xhami në Han të Elezit, arrestohet 37-vjeçari

Policia e Kosovës ka arrestuar një 37-vjeçar për vjedhje dhe tentim-vjedhje nëpër xhamitë e Hanit të Elezit. I dyshuari N.R dyshohet dy vepra të vjedhjes dhe tri të tjera të tentim-vjedhjes, të gjitha këto brenda një periudhe 4-mujore.

“I dyshuari N.R është shoqëruar në stacionin e policisë në Han të Elezit dhe pas intervistimit të tij nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore” – thuhet në njoftimin e Policisë.

I njëjti dyshohet për vjedhje të një sasie të parave në kasafortën e xhamisë më 13 mars në rrugën “Imri Curri” në Han të Elezit dhe po ashtu vjedhjen e një sasie të parave nga kasaforta e xhamisë së qytetit më 13 maj në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Han të Elezit.

Po ashtu, ai dyshohet se më 3 qershor në rrugën “Dëshmorët e Kombit’’ në Han të Elezit ka tentuar ta vjedhë kasafortën e xhamisë së qytetit, më pas dyshohet se edhe më 16 qershor në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Han të Elezit ka tentuar ta vjedhë kutinë e xhamisë po ashtu tri ditë më vonë, më 19 qershor dyshohet se përsëri ka tentuar të vjedhë në xhaminë e qytetit ku e dhe janë demoluar orenditë.