Ilustrim: Naser Fejza

Dyshohet se nipi i vodhi armën policit e më pas e shiti 

Arma e një zyrtari policor po dyshohet se kaloi në duart e disa të rinjve pasi u vodh fillimisht dy ditë më parë më 21.02.2024.

Një ngjarje jo e zakonshme është raportuar në Gjilan dy ditë më parë. Një i mitur dyshohet se ka vjedhur një armë zjarri me shtatë fishekë e më pas e kishte shitur. 

Arma ishte e një zyrtari policor i cili pasi kishte vërejtur mungesën e armës zyrtare e kishte raportuar ngjarjen në Polici.

Polici ka njoftuar kolegët e tij se në banesën e tij i ishte vjedhur arma zyrtare me shtatë fishekë. 

Dyshimet i kishte ngritur polici se arma ishte vjedhur nga nipi i tij, i mitur. Menjëherë ishin marrë veprimet e nevojshme policore dhe u kuptua se arma ishte shitur. 

Gjatë kontrollit në oborrin e të dyshuarit të dytë janë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë e pistoletës dhe tri gëzhoja të një pistolete të dytë që dyshohet se janë shkrepur si provë gjatë ndërrimit-shitjes së pistoletave. 

Në raportin policor të datës 23.02.2024 thuhet se për këtë çështje janë të dyshuar tre persona të rinj.

Siç mëson KALLXO.com nga burime brenda policisë, në rast ishte e përfshirë edhe një armë tjetër e cila dyshohet se u shkëmbye me armën e policit pas vjedhjes.

Zyrtarisht arma e policit u gjet dhe u konfiskua me katër fishekë, nga shtatë gjithsej sa ishin ndërsa arma tjetër e gjetur u konfiskua me një fishek.

Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.