Mjete piroteknike - Foto: Rtv21

Dyshohej se shisnin mjete piroteknike të kontrabanduara, arrestohen dy persona 

Policia e Shtetit ka iniciuar dy raste ndaj dy personave për tregti dhe transport të mallrave të kontrabanduara, e që lidhen me shitjen e mjeteve piroteknike. 

Gjatë ditëve të festave, niveli i sigurisë është rritur në të gjitha vendet duke përfshirë edhe Shqipërinë për të parandaluar rastet e kundërligjshme e gjithashtu për të ofruar rend e siguri gjatë kohës sa ishin festat e fundvitit. 

Gjatë kontrollave që janë kryer nga ana e ekipeve të Policisë së Shtetit, këta të fundit kanë arritur që të procedojnë penalisht dy persona dhe të sekuestrojnë kuti me fishekzjarre dhe kapsolla me vlerë rreth 800 mijë lekë. 

Këto raste janë identifikuar në lagjet “Hajro Cakërri” dhe “28 Nëntori”, në vende këto ku të dyshuarit sipas policisë shisnin lëndët piroteknike e që dyshohej se ishin të kontrabanduara. 

Dy shtetasit do të hetohen penalisht në liri ndërsa provat dhe materialet që gjeti policia i janë referuar prokurorisë.