Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Dyshimet për përfshirjen e dy mjekëve në korrupsion, deklarohet Policia

Dy mjekë nga Vushtrria janë arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Njësia Rajonale për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i cili ka thënë se edhe një person i tretë mbetet në kërkim policor.

“Janë arrestuar dy persona me dyshimin e bazuar për marrje ryshfeti, përderisa personi i tretë mbetet në kërkim policor. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë” – ka thënë Kelani.

Lidhur me rastin, gjatë ditës është deklaruar edhe Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri.

Nga ana e spitalit është thënë se dy doktorë e arrestuar dhe i treti që është në kërkim, pas pretendimeve se të njëjtit janë përfshirë në një aferë korruptive, janë suspenduar nga puna.

“Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. I. Z. shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. E. S. dhe dr. A. L. suspendohen nga puna deri në një vendim të ri” – thuhet në njoftimin e spitalit “Sheikh Zayed”.

Gjithashtu, spitali ka treguar se një doktor tjetër është telefonuar për t`u dorëzuar në polici dhe ndaj të njëjtit është marrë vendimi që të shkarkohet nga ushtruesi i detyrës së shefit të repartit në spital.

Së fundmi mediat raportuan për përfshirjen e tre mjekëve në një aferë të korrupsionit. Ndërsa, për rastin reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë.

Dikasteri që drejtohet nga Arben Vitia premtoi se do të bashkëpunoi me organet e hetuesisë për të adresuar pretendimet e raportuara nga mediat.

Në njoftimin e këtyre të fundit u tha se së bashku me ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve, u tha se ditëve në vijim do të ndërmerren të gjitha masat e parapara ligjore.

Dyshimet për përfshirje në korrupsion, arrestohen dy mjekë në Vushtrri