Dyshimet për keqpërdorime në testet për patentë shofer, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj dy të pandehurve

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar më 15.02.2024 masën e paraburgimit ndaj një qytetari dhe një instruktori të një auto-shkolle.

A.B. po dyshohet se ka kryer veprën penale – dhënia e ryshfetit në sektorin privat, kurse E.M. dyshohet se ka kryer veprën penale – legalizimi i përmbajtjes së rreme.

Të dyshuarit ishin ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit më 14.02.2024.

Prokuroria ka thënë se i pandehuri A.B. dyshohet se më 14.02.2024 në 13:10h, në Qendrën e pajisjes me patentë shofer, me dashje dhe vetëdije ofron dhe premton në mënyrë të drejtpërdrejtë shpërblim apo përfitim të panevojshëm për të punësuarin në sektorin privat, përkatësisht instruktorin e një auto-shkolle.

Kjo, sipas Prokurorisë u bë me qëllim që ky i fundit të veprojë duke shkelur detyrën dhe funksionin në aktivitetin e tij, në atë mënyrë që i pandehuri i lartcekur duke qenë kandidat i interesuar për t’u pajisur me patentë shofer të kategorisë C, në fillim të vitit 2024 kontakton tani të pandehurin i cili ndodhet në arrati, në cilësinë e instruktorit të një auto-shkolle, i cili duke qenë në dijeni se nuk është i licencuar për ofrimin e shërbimeve të kategorisë C për patentë shofer, nga i pandehuri A.B. merr shumën prej 200 eurove.

Sipas Prokurorisë, paratë u morën në emër të rregullimit të dokumenteve për regjistrim.

Më pas i pandehuri A.B. e njofton të pandehurin tjetër se patentë shoferi i nevojitet me urgjencë për shkak të mundësisë së punësimit jashtë vendit.

Prokuroria tha se më 14.02.2024, të pandehurit A.B. i vendosen pajisjet dhe gjatë procedurës testuese me anë të tyre arrin të komunikojë dhe t’i përgjigjet pyetjeve saktë, mirëpo këto veprime i vëren një dëshmitar dhe ndërpritet procedura e testimit.

Për rastin e dytë, Prokuroria njoftoi se më 18.01.2024, në një auto-shkollë në Fushë Kosovë, i pandehuri E.M. me të pandehurin tjetër dyshohen se me dashje dhe vetëdije përmes fshehjes se fakteve e në kundërshtim me Ligjin për patentë shofer, lëshojnë vërtetim mbi kinse aftësimin praktik të kandidatit duke e vënë në lajthim organin kompetent që të vërtetojë një çështje të pavërtetë.