Dyshimet për dhunimin e një të miture në Suharekë, Prokuroria do të kërkojë paraburgim për të arrestuarin

Një rast i dhunimit të një të miture po dyshohet se ka ndodhur në Suharekë në nëntor të vitit të kaluar. I dyshuari, i moshës madhore, është arrestuar.

Sipas Policisë, arrestimi ka ndodhur të dielën në ora 18:10 dhe i dyshuari e ka pranuar në Polici se ka pasur marrëdhënie me të miturën.

“DHUNIM Suharekë, nëntor 2022 – Njësiti i hetimeve gjatë një pune hetimore, nën dyshimin e kryerjes së veprës së lart-cekur, kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar. Gjatë intervistës i njëjti ka pranuar se ka kryes marrëdhënie me viktimën femër kosovare e mitur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”-thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa, Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar për KALLXO.com se do të kërkojë paraburgim për të dyshuarin.

“Referuar pyetjeve tuaja, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se, lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë, një (1) person, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) . Për të njëjtin, prokuroria brenda afatit ligjor do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit”- thuhet në përgjigje.

Prokuroria ka bërë të ditur se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, duke pasur parasysh se viktima është e ndjeshme, në këtë fazë nuk është e mundur të japin detaje të tjera.