Objekti ku ndodhi shpërthimi në Lushnjë, Foto: REL
Dy të vdekur nga shpërthimi në Lushnjë të Shqipërisë
Së paku dy persona kanë vdekur dhe shtatë të tjerë janë lënduar si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të premten në zonën industriale të qytetit perëndimor të Shqipërisë, Lushnjë.
Në mesin e të lënduarve është edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela.
Shpërthimi u shkaktua nga rryma, pasi një vinç në lëvizje kishte prekur aksidentalisht linjat e tensionit të lartë mbi një magazinë në ndërtim e sipër, sipas Policisë së Shqipërisë.
Viktimat janë babë e bir. Babai po e drejtonte vinçin dhe vdiq në vend, ndërsa djali i tij, që po e ndihmonte atë, vdiq rrugës për në Spitalin e Traumës në Tiranë, njoftuan autoritetet.
Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe biznese dhe banesa që ndodhen pranë vendit të ngjarjes.
Autoambulancat transportuan drejt spitalit të Lushnjës të plagosurit, përfshirë Çelën. Sipas mediave lokale, besohet se Çela është pronari i magazinës në ndërtim e sipër, ndërsa ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, tha për gazetarët se deputeti “ndodhej në atë zone në kohën që u shënua ngjarja e rëndë”.
Çela dhe një i plagosur tjetër u dërguan në Spitalin e Traumës për të marrë mjekim më të specializuar. Mjekët thanë për mediat se dy të plagosurit kanë marrë dëmtime të mëdha dhe se i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.
Sa i përket gjendjes së tre të plagosurve të tjerë, të cilët u shtrinë në spitalin e Lushnjës, drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, tha se njëri prej tyre është në intubim për shkak të djegieve të rënda që ka pësuar, ndërsa gjendja e dy të tjerëve është stabile.
Ministri Balla theksoi se hetimet paraprake tregojnë se shkak i shpërthimit ka qenë shkarkesa elektrike. Pamjet e publikuara në media treguan një shpërthim të madh zjarri në momentin që vinçi preku linjën e tensionit të lartë.
Ndërkohë Bashkia e Lushnjës do të nisë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara te bizneset përreth, pasi shpërthimi ka qenë i fortë. Gjithashtu do të merren masa edhe për të strehuar banorë, banesat e të cilëve mund të jenë dëmtuar nga shpërthimi./REL