Drogë, armë e bixhoz ilegal, tre të arrestuar në Gjilan

Drejtoria rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, 14 dhjetor ka arrestuar tre persona në tri raste të ndara për vepra të ndryshme kriminale.

Sipas njoftimit të Policisë i dyshuari i parë është arrestuar pasi tek i njëjti është gjetur sasi e substancave narkotike e dyshuar mariuhanë në sasi 11.89.gr.

“I dyshuari është arrestuar, sjell në stacion policor dhe iu është nënshtruar procedurave policore, përderisa substanca narkotike është konfiskuar, në cilësi të provës materiale”, është thënë tutje në njoftim.

Sipas Policisë, i dyshuari S. R. është arrestuar në qendër të Gjilanit.

Në njoftimin e Policisë është treguar se dy rastet e tjera janë kryer në fshatin Uglar.

Në rastin e dytë është arrestuar një person i cili dyshohet se kishte hyrë në një lokal me armë.

“I dyshuari me të vërejtur njësinë policore, ka hedhur armen nën tavoline dhe ka filluar ikjen”, ka thënë Policia.

Arma dhe një karikator me gjashtë fishekë janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Ndërsa arrestimi i personit të tretë është bërë pasi i njëjti dyshohet se në cilësinë e pronarit të lokalit, ka lejuar dhe mundësuar që të zhvillohen veprimtari të skemave piramidale, bixhozit dhe lojërave te tjera te fatit.

“Lidhur me rastin janë konfiskuar mjetet e përdorura dhe (16) euro para të gatshme, të hasura në tavolinën në të cilën kishin qenë duke luajtur”, ka njoftuar Policia.

Sipas Policisë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.