Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dreshaj: Kosova deri më tani nuk ka kaluar keq me pandeminë

Infektologu dhe kandidati i AAK-së për deputet, Shemsedin Dreshaj, në “Kallxo Pernime” ka komentuar gjendjen me COVID-19 në Kosovë, duke thënë se vendi ynë nuk ka qenë asnjëherë në pozitën si Italia.

“Kosova asnjëherë nuk ka qenë në pozitën që ka qenë Italia, që s’ka pasë shans me iu ofru ndihmë. Kapacitetet spitalore kanë qenë të stërmbushura, është dashtë që të ofrohet ndihmë nëpër salla të sporteve, shkolla, ose Spanja. Madje edhe në New York ka ndodhë e njëjta. Kur për shembull e kanë bo seleksionimin se kënd ta intubojnë , kush të vendoset në respirator e kush jo”, ka thënë Dreshaj.

Ai ka deklaruar se Kosova deri më tani nuk ka kaluar keq me pandeminë, ndërsa ka thënë se nuk ka lehtësim të masave.

“Lirimi i masave bëhet bazuar në kritere epidemiologjike, nëse grupi i ekspertëve të cilët merren me hartimin e strategjisë e kanë pa si periudhë lehtësuese..por me sa e pashë nuk kemi të bëjmë me lehtësim të masave”, ka deklaruar Dreshaj.