Barrikadat në Zupçe. Foto: KALLXO.com

Drejtori i Policisë për ngjarjet në veri: Janë hapur disa raste penale, jemi ende në verifikim

Ngjarjet të cilat ndodhën dy ditët e kaluara në veri të vendit janë duke u trajtuar nga organet e rendit dhe sigurisë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se kanë hapur disa raste penale por që janë ende në periudhë të verifikimit dhe identifikimit.

“Është ende një ditë dhe në momentin që kemi diçka zyrtare do të dalim  në konferencë”, tha shkurt Mehmeti në konferencën që u mbajt në objektet e stacionit “Qendra” në Prishtinë.

Dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ishin bllokuar për më shumë se 20 orë, për shkak të bllokimit të rrugëve të cilat ishin bërë me makineri të rënda nga persona për të cilët policia tha se janë grupe të organizuara kriminale.

Informacionet zyrtare të policisë konfirmojnë se të dielën pas bllokimit të rrugëve në veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim.

“Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë të publikuar gjatë ditës së djeshme.

Tutje të dielën, janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe dëme materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.

Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan të dielën, ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Sot, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffery Hovenier ka deklaruar se ShBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë: Masat e qeverisë ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar